(VIDEO) VMRO: Kovaçevski dezertoi nga ushtria gjatë luftës së vitit 2001

(VIDEO) VMRO: Kovaçevski dezertoi nga ushtria gjatë luftës së vitit 2001

VMRO DPMNE akuzon kryeministrin Dimitar Kovaçevski për dezertim nga ushtria, edhe atë gjatë kohës së konfliktit në vitin 2001. Sipas tyre, Kovaçevski nuk i është përgjigjur thirrjes për shërbimin ushtarak me arsyetimin se është i paaftë përgjithmonë. Deputeti i VMRO DPMNE-së Dragan Kovaçki ftoi kryeministrin Kovaçevski të përgjigjet nëse është vërtetë i paaftë dhe nëse është ashtu të tërhiqet edhe nga posti i kryeministrit, apo vetëm ka gënjyer për të dezertuar nga ushtria.

DRAGAN KOVAÇKI, VMRO DPMNE
“E ftojmë dezertuesin Kovaçevski që në afat prej 24 orëve të thotë nëse vërtetë ka ikur dhe vërtetë është i paaftë, apo ka gënjyer para institucioneve dhe mjekëve? Nëse dezertuesi Kovaçevski ka qenë i paaftë të për të kryer ushtrinë dhe për të mbrojtur shtetin, atëherë si na qenka i aftë për të qenë kryeministër? A kemi në krye të Qeverisë një njeri të paaftë dhe a është kjo arsyeja se pse Maqedonia është e poshtëruar?”

Por nga LSDM-ja thonë se ky është vetëm një tentim i VMRO DPMNE-së për të hequr vëmendjen nga tenderët e drejtorëve të tyre në Qytetin e Shkupit, për të cilat kryetarja e qytetit Danella Arsovska i akuzon për korrupsion. Ata madje e akuzojnë deputetin e VMRO DPMNE-së Kovaçki për dezertim, pasi Kovaçeki ka qenë pjesë e Armatës deri para pak kohësh.

DARKO KAESKI, LSDM
“Po tentojnë ta tërheqin vëmendjen me qëllim që të mos përgjigjen për atë që qytetarët e presin si përgjigje, respektivisht rolin e Mickoskit në tenderin prej 136 milionë eurove dhe sot përmes shpifjeve të dezertuesit ushtarak Kovaçki po tentojnë të mbulojnë të vërtetën. Kështu që i ftojmë edhe një herë të tregojnë se cili është roli i tyre në këtë tender dhe pse hesht Mickoski tashmë disa ditë dhe nuk jep përgjigje për këto pyetje”.

Deri tani vetë kryeministri Kovaçevski nuk është përgjigjur për akuzat e VMRO DPMNE-së dhe nuk ka sqaruar versionin e tij rreth të vërtetës për shërbimin e tij ushtarak. /SHENJA/