(VIDEO) VMRO kërkon të bëhen publike dy dokumentet për Bullgarinë

(VIDEO) VMRO kërkon të bëhen publike dy dokumentet për Bullgarinë

Deputeti i VMRO-DPMNE-së njëherësh kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshoski, përmes një letre ka kërkuar nga kryeministri Dimitar Kovacevski dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani që sot para deputetëve t’i dorëzojnë dy dokumente për Bullgarinë – protokollin për negociatat dhe propozimin francez. Milloshoski thekson se pas marrjes së këtyre dokumenteve në Kuvend, nesër mund të caktohet seanca e Komisionit për politikë të jashtme, për të hapur diskutim parlamentar për Bullgarinë.

ANTONIO MILLOSHOVSKI, DEPUTET I VMRO-SË

“Pas dorëzimit të këtyre dy dokumenteve të rëndësishme, nesër do të mbajmë seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme sepse pasnesër kur të mbahet seanca e Këshillit të BE-së mund të jetë tepër vonë. Propozoj që seanca të jetë e hapur për publikun. Për dokumentet që kanë të bëjnë me Maqedoninë, Qeveria s`ka të drejtë t`i fsheh nga opinion, por ka obligim kushtetues të marrë pjesë në debatin parlamentar”.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, njoftoi se deri tani formalisht nuk e kanë pranuar propozimin francez për zgjidhjen e mundëshme të bllokadës nga ana e Bullgarisë, pasi fillimisht merren mendimet e vendeve anëtare të BE-së, me të cilat siç tha ai janë në komunikim të vazhdueshëm. Në këtë kontekstr, shtoi ai nuk ka mundësi që ndonjë propozim t’I  paraqitet Kuvendit ose organeve të kuvendit.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM

“Protokolli i mundshëm, i cili përmendet si dokument tashmë i gatshëm, ndoshta paraqet procesverbal nga mbajtja e Komisionit Ndërqeveritar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që është paraparë në Marrëveshjen e Miqësisë së vitit 2017. Deri më tani është mbajtur vetëm një seancë e këtij Komisioni në vitin 2019, dhe ky procesverbal që është i vetmi Protokoll deri më tani, është i qasshëm për opinionin tashmë tri vite. Pra, nuk ka procesverbal të finalizuar”.

Osmani sqaron se gjiothnjë I është përgjigjur pozitivisht ftesave për prezantim në Komisionin e Punëve të Jashtme, megjithëse, siç thotë  ai atje nuk ka gjetur bashkëpunim.  Në përputhje me Agjendën, Osmani nënvizoi se së shpejti do të caktohet një datë, ku do t’i prezantojë të gjitha çështjet e politikës së jashtme. /SHENJA/