` . (VIDEO) VMRO kërkon Komision special për tu përballu me KOVID-19, Filipçe refuzon - TV SHENJA

(VIDEO) VMRO kërkon Komision special për tu përballu me KOVID-19, Filipçe refuzon

VMRO-DPMNE ka kërkuar formimin e një Komisioni Special për t’u ballafaquar me krizën e Koronavirusi. Ky Komision, sipas propozimit të VMRO-së do të numëronte 11 anëtarë, mes të cilëve edhe ministri i Shëndetësisë, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, ndërsa anëtarët tjerë të jenë infektologë, epidemiologë, imunologë dhe internistë. Megjithatë, propozimi i tyre i dërguar që mbrëmjen e djeshme tek ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, është hedhur poshtë, ka bërë të ditur, deputeti i VMR-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Antonio Milloshoski

“Është e dukshme se ministri i Shëndetësisë, për dallim prej shumicës në opinion ende ka besim tek Komisioni i tij për Kovid të cilën e udhëheq Karaxhovski, për të cilin Komision ne vlerësojmë se bart pjesë të përgjegjësisë për shumë hapa të ndërmarra jo në kohë të duhur dhe masave të papërshtatshme”

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe është kundërpërgjigjur duke thënë se VMRO-DPMNE që nga fillimi i pandemisë është në mënyrë të papërgjegjshme duke vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve. Ai ka bërë thirrje që të mbahet sa më shpejtë seanca e Kuvendit ku do të miratohen ndryshimet Ligjore për të hyrë në fuqi masat e propozuara nga Komisioni për Sëmundje Infektive.

Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë

“Nga fillimi i krizës në vend nga opozita nuk kemi parë asgjë tjetër përpos opstrukcioneve dhe kritika. Ajo që e vërteton faktin se nuk mendojnë për shëndetin e qytetarëve është fakti se vazhdimisht merren me diskreditimin e Komisionit për Sëmundje Infektive, duke e zhvlerësuar ekspertizën e anëtarëve edhe përpjekjet e tyre për t’u përballur me krizën”

Nga ana tjetër, nga VMRO-DPMNE kanë thënë që ndryshimet në Ligjin për mbrojtje të popullatës menjëherë të vendosen në seancë kuvendore. Ata kanë thënë se do të sigurojnë kuorum, por se do të votojnë përmbajtur, ngase sipas tyre këto ndryshime nuk do të sjell ndryshime të mëdha.

Enis Murtezi /SHENJA/