` . (VIDEO) VMRO e pyet Filipçen: Pse nuk tregon me çfarë materiali janë ndërtuar spitalet modulare - TV SHENJA

(VIDEO) VMRO e pyet Filipçen: Pse nuk tregon me çfarë materiali janë ndërtuar spitalet modulare

VRMO-DPMNE e pyet ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçen se përse ende nuk kanë treguar se me çfare ishte ndërtuar spitali i modeluar në Tetovë dhe si u dogj ai për vetëm 2 minuta. Sipas partisë opozitare ka edhe shumë pyetje  që edhe 10 ditë pas tragjedisë po presin përgjigje, të cilat përgjigje siç thonë, Zoran Zaev, Venko Filipçe së bashku me drejtorat e BDI-së duhet t’u japin përgjigje.

VMRO-DPMNE

“Së pari, si janë ndërtuar spitalet e modeluara, nga çfarë materiali dhe në çfarë mënyre? Së dyti, a ka kërkuar dhe ofruar Ministria e Shëndetësisë specifikime dhe standard për ndërtimin e barakave modulare? Së treti, sa është paguar për ndërtimin e tyre dhe a ka korresponduar me produktin e marrë?”

VMRO-DPMNE përsërit kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Zaev dhe ministrit Filipçe.

Ndërkohë po vazhdojnë hetimet për mënyrën si ishte ndërtuar dhe djegur spitali.

Hetuesit nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit filluan dje me shqyrtimin fillestar të dokumentacionit për spitalin modular në Tetovë të marrë nga Byroja e Prokurimit Publik dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Qeveria, nga ana tjetër, tha se nuk ndërhyn në hetimin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë, duke theksuar se pret një hetim të shpejtë dhe të suksesshëm për të gjithë rastin. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit siç ka sqaruar është kompetente vetëm në fushën e prokurimit publik dhe do të kontrollojë vetëm nëse janë ndjekur procedurat, asgjë më shumë.

Emine Ismaili /SHENJA/