(VIDEO) VMRO-DPMNE do ta shënojë 32-vjetorin e themelimit me protesta

(VIDEO) VMRO-DPMNE do ta shënojë 32-vjetorin e themelimit me protesta

Partia opozitare maqedonase nesër shënon 32 vjetorin. Këtë përvjetor VMRO-DPMNE do ta shënojë me protesta. Kreu i partisë, Hristijan Mickoski thotë se do ta festojnë këtë ditëlindje si shenjë e luftës për ndryshim dhe kundër qeverisë që po ua përkeqëson jetën mijëra qytetarëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve që nesër në ora 20:00 para Qeverisë t’i bashkohen protestës për ndryshim.

 Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE

“Nëse dikush pyet pse? Kjo pasi unë dhe VMRO-DPMNE nuk do të heshtim kur populli vuan, kur ndjen pasiguri, zemërim dhe poshtërim. Këto janë gjërat që ndien pothuajse çdo njeri, pavarësisht nga feja dhe kombi. Nuk do të heshtim sepse tani duhet të jemi me zë të lartë”

Mickoski shtoi se ata si parti këto 32 vite i kanë shpenzuar në përpjekje të vazhdueshme, sakrificë dhe punë për Maqedoninë e Veriut.

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE

“VMRO-DPMNE është parti shtetformuese, kodi i së cilës, ekzistenca dhe veprimi i saj i kushtohet ekzistencës dhe funksionimit të Maqedonisë”

Kreu i partisë shtoi se ideja e demokracisë dhe lirisë janë synimet dhe vizioni i tyre. Ndërsa, Bashkimi Evropian është angazhimi i tyre.

Rikujtojmë se, kreu i mëparshëm i partisë VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski është i arratisur në Hungari, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është i dënuar me disa vite burg për veprime të paligjshme, që i ka bërë gjatë qeverisjes së tij.

Linda Ebibi /SHENJA/