` . (VIDEO) VMRO me 1 mijë amendamente bllokon Ligjin për Legalizimet - TV SHENJA

(VIDEO) VMRO me 1 mijë amendamente bllokon Ligjin për Legalizimet

VMRO-DPMNE ka deponuar 1000 amendamente ndaj Ligjit të ri për legalizim. Për këtë veprim, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski ka akuzuar opozitën për sjellje jokostruktive duke thënë se amendamentet nuk përmirësojnë tekstin por qëllimisht bllokojnë miratimin e ligjit që siç thotë ai është në dobi të qytetarëve.

Goran Sugarevski
“Para miratimit të Ligjit për procedim të objekteve të ndërtuara pa leje, i popullarizuar si Ligji për legalizim, deputetët e VMRO-DPMNE-së dorëzuan rreth 1000 amendamente me çka me vetëdije e frenojnë ligjin dhe lënë shumë pak gjasa që i njëjti të miratohet para shpërbërjes së Kuvendit. Me këtë veprim kanë lënë qindra mijëra qytetarë në pamundësi për të legalizuar objektet e ndërtuara në mënyrë ilegale”

Kryetarja e komisionit parlamentar për transport dhe lidhje, Liljana Zaturovska, e cila vjen nga VMRO-DPMNE, i vlerësoi si paushale dhe joserioze akuzat e ministrit Sugarevski se VMRO-DPMNE bllokon miratimin e ligjit me më shumë se 1000 amendamente.

Liljana Zaturovska
“Të miratoni një ligj serioz me procedurë të shkurtuar dhe të mos lejoni debat publik vlerësoj se janë të pahijshme deklaratat e ministrit i cili fajin ja hodhi VMRO-DPMNE-së. Për ligjin për planifikim urbanistik janë dorëzuar 235 amendamente falë debatit të gjërë publik në Kuvend dhe të gjitha vërejtjeve të personave profesionist janë riformuluar”

Këto përplasje vijnë një ditë pasi komisioni parlamentar për transport dhe lidhje nuk arriti as të fillojë mbledhjen për shkak të numrit të madh të amendamenteve.
Në propozim ligjin e Qeverisë, për legalizim të objekteve pa leje të ndërtuara deri më 1 tetor të vitit 2019, parashihet që të paguhet 100 për qind e taksave komunale për objektin si dhe dënim në vlerë prej 50% të taksave komunale, ndërsa për rrjetet elektronike të komunikimit dëmshpërblimi do të jetë në vlerë prej 10 euro për metër katror të sipërfaqes së ndërtuar. Për të gjithë ata që kanë dorëzuar kërkesë sipas ligjit të vjetër do të vlejnë dispozitat me të cilat për legalizim do të paguhet nga një euro për metër katror. Arben Zeqiri /SHENJA/