` . (VIDEO) “Urdhri i presidentit Bajden do të godas politikanët e korruptuar” - TV SHENJA

(VIDEO) “Urdhri i presidentit Bajden do të godas politikanët e korruptuar”

Analisti politik Selim Ibrahimi dhe profesori universitar Sefer Tahiri, në emisionin “ENTER” në “TV SHENJA” deklaruan se dekreti i presidentit të SHBA-së, Xho Bajden ka për qëllim stabilitetin dhe luftimin e korrupsinot.

Ibrahimi tha se ky urdhër më së tepërmi do të godas politikanët, ata zyrtar të cilët janë të angazhuar, të futur në korrupsion të cilët në një far mënyre rrezikojnë stabilitetin, zhvillimin ekonomik të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se dekreti nuk është konceptuar 100% kundër koncepteve për ndryshimet e kufijve, pasi që nuk dihet plani i SHBA-së, se a është për ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës.

SELIM IBRAHIMI, ANALIST POLITIK

“Mendoj që do të godas korrupsionin, ajo që duhet parë është se në sa nivele ky vendim do të shkojë. Siç e dimë, vendimi i 2001, ka goditur disa figura, shembull ka goditur Xhevat Ademin, Menduh Thaçin, por efektet kanë qenë të vogla, minimale pasi ata nuk kanë përfshirë pjesën dërmuese të politikanëve. Andaj duhet parë se sa thellë ky ligj do të shkojë, se sa thellë, Departamenti i Shtetit Amerikan dhe ambasadat që do të përpilojnë listat për sanksione”.

Edhe profesori universitar  Sefer Tahiri vlerëson se dekreti i presidentit të SHBA-së, Xho Bajden, është një qëndrim i qartë se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë prioritet i shteteve dhe veçanërisht i qeverive si dhe institucionet që merren me luftimin e këtyre fenomeneve.

 SEFER TAHIRI, PROFESOR UNIVERSITAR

“Mendoj se kjo parasegjithash është një sinjal për politikën e Ballkanit në përgjithësi, që dalëngadalë të pastrohet nga figurat e komprometuara, nga figurat të cilët në aspektin jo vetëm etik, por në aspektin e funksionimit të tyre në skenën ballkanike kanë dhënë shumë prova se politika këtu tek ne nuk është ajo që e themi ‘arti i të mundshëm’ por shpesh është instrument për tu pasuruar”.

Tahiri mendon se sinjali që i është dhënë ish kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhe më herët disa politikanëve tek ne, duhet të kuptohet seriozisht nga partitë në pushtet si dhe  në Ballkan duhet të mbizotërojnë dhe të fryejnë erëra tjera të cilat para se gjithash duhet të kenë në plan të parë funksionimin e shtetit të së drejtës, pra shtetit ligjor, funksionimin e demokracisë në kuptimin e plotë të fjalës.

Medina Ajeti /SHENJA/