(VIDEO) Ulen nga 2 deri në 3.5 denarë çmimet e derivateve të naftës

(VIDEO) Ulen nga 2 deri në 3.5 denarë çmimet e derivateve të naftës

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka vendosur që pas mesnatës çmimi i EUROSUPER BS 95 të ulet për 3,5 denarë, ndërsa çmimi i EUROSUPER BS 98 për 2 denarë, çmimi i naftës do të ulet për tre denarë. Sipas vendimit të Komisionit Rregullator nga mesnata  ЕUROSUPER BS – 95  do të kushtojë  90 denarë për litër, ЕUROSUPER BS – 98  do të shitet  92 denarë për litër, ЕURODIZEL BS (D-Е V)  do të kushtojë  90 denarë për litër, ndërsa  Vaji ekstra i lehtë (ЕL-1)  do të shitet për  87,5 denarë për litër.

Në ndërkohë Çmimi i naftës së papërpunuar në bursat botërore ka humbur të gjitha kuotat e fituara nga lufta në Ukrainë.

Në bursat e Teksasit dhe të Londrës, dy pikat kryesore të referimit në tregjet ndërkombëtare, çmimi për fuçi nafte ka shënuar ulje në kuotat e fillimit të shkurtit, pak javë para fillimit të sulmit rus në Ukrainë. Bursa e Teksasit u hap këtë të hënë me një çmim nafte prej rreth 88 dollarësh për fuçi, ndërsa ajo e Londrës në kuotat e 94 dollarëve.

Veç hedhjes në treg të sasive të mëdha të naftës nga rezervat federale amerikane, me shpresë shihet edhe premtimi i Arabisë Saudite, vendit lider të kartelit të OPEC-ut për shtimin e prodhimit me 100 mijë fuçi në ditë në muajin shtator.

Megjithatë ekspertët paralajmërojnë se turbullirat në ekonominë globale e bëjnë çmimin e naftës të paparashikueshëm.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/