(VIDEO) Turqia kërkon ekstradimin dhe dëbimin e rreth 80 pjesëtarëve të FETO-s nga Maqedonia e Veriut

(VIDEO) Turqia kërkon ekstradimin dhe dëbimin e rreth 80 pjesëtarëve të FETO-s nga Maqedonia e Veriut

Ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkok deklaroi se vendi i tij ka kërkuar nga Мaqedonia e Veriut, ekstradimin dhe dëbimin e rreth 80 pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO. Sekizkok në takimin me gazetarët në rezidencën e ambasadës në Shkup rikujtoi se  15 korriku në Turqi është përjetuar një tentativë për grushtshteti, një përpjekje e paprecedentë në historinë botërore.

Ambasadori tha se tentativa për grusht shteti ka mbetur e pasuksesshme falë lidershipit të presidentit Rexhep Taip Erdogan si dhe qëndrimit të vendosur të forcave të sigurisë dhe popullit turk. Sekizkok vuri në dukje se është e rëndësishme të mos harrohet kjo tentativë.

HASAN MEHMET SEKIZKOK, AMBASADOR I TURQISË NË SHKUP

“Përgjegjësit për tentativën e grushtit të shtetit të 15 korrikut brenda vendit u sollën para drejtësisë. Është deshifruar strukturimi organizativ i FETO-s brenda institucioneve shtetërore. Janë eliminuar strukturat e maskuara të FETO-s jashtë institucioneve shtetërore që përfshijnë fushat e arsimit, medias dhe jetës ekonomike. FETO, pas eliminimit të strukturimit të saj në Türkiye, ka shkuar në ndryshim të strategjisë. Ka filluar t’u japë rëndësi aktiviteteve të saj jashtë vendit. Për këtë shkak, lufta kundër strukturimit të FETO-s jashtë vendit është një ndër pikat prioritare të Turqisë”

Ai ndër të tjera rikujtoi se Fondacioni Turk Maarif pas 15 korrikut në të gjitha vendet ka hapur shkolla që ofrojnë arsim me standarde të larta, ka shpëtuar shumë nxënës nga kurthi i FETO-s, ndërsa në mesin e vendeve që Fondacioni vepron është edhe Maqedonia e Veriut. Sekizkok theksoi se vazhdon prania e FETO-s në Maqedoninë e Veriut.

HASAN MEHMET SEKIZKOK, AMBASADOR I TURQISË NË SHKUP

“Tre shkolla të lidhura me FETO-n funksionojnë në Shkup, Tetovë dhe Strugë nën petkun e institucionit arsimor. Presim që Maqedonia e Veriut të hedhë hapa konkrete lidhur me mbylljen e tyre dhe me ekstradimin e personave të lidhur me FETO-n. Ne i theksojmë këto kërkesa në nivelin më të lartë. Do të jemi ndjekës të kësaj çështjeje derisa të eliminohet plotësisht kjo organizatë terroriste nga Maqedonia e Veriut. Presim që të gjitha vendet të bashkëpunojnë në luftimin e terrorizmit në të gjitha format dhe manifestimet e tij”

Lidhur me pyetjen nëse vallë ka ndonjë numër të saktë të personave që Turqia  ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut dhe zhvillimet mbi këtë temë, ambasadori Sekizkok tha se janë rreth 80, dhe ende nuk ka ndonjë dobim apo ekstradim. Linda Ebibi /SHENJA/