` . (VIDEO) Thirrje për unitet dhe luftë kundër koronavirusit në Ditën e Republikës - TV SHENJA

(VIDEO) Thirrje për unitet dhe luftë kundër koronavirusit në Ditën e Republikës

Thirjet për unitet dhe luftë kundër koronavirusit ishin porositë e dërguara nga të gjithë krerët shtetërorë dhe aktorët politik në vend për festën e Ilindenit. Presidenti Stevo Pendarovski theksoi se pajtimi qytetarë është kushti bazë për funksionimin e shoqërisë demokratike pluraliste.

Stevo Pendarovski, President

“Këtë vit Ilindenin e festojmë me një hap kolosal drejt realizimit të qëllimeve strategjike, anëtarësimin e plotë në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në, që nënkupton garanci të sigurisë, sovranitetit dhe përparimit ekonomik. Por, gjithashtu, Ilindenin këtë vit e presim dhe në mes të pandemisë me kovid-19, si një kërcënim i madh për shëndetin, por edhe për ekzistencën dhe mënyrën e jetesës, jo vetëm te ne, por në mbarë botën.”

Për “një shoqëri për të gjithë” dhe anëtarësim në NATO foli kryeministri Oliver Spasovski. Ai në solemnitetin me rastin e Ilindenit në Kalanë e Shkupit theksoi se në luftën për shtet të lirë dhe të drejtë janë ftuar të gjithë qytetarët e ndershëm, pa dallim gjinie, feje, bindje apo kombësie.

Oliver Spasovski
“Lufta e të gjithë ilindenasve tanë asnjëherë nuk ka qenë e motivuar as për territore, as për dominim të një shteti ndaj tjetrit. As të një populli ndaj tjetrit. Duke filluar nga Manifesti i Krushevës, e pastaj edhe me deklaratën dhe vendimet e KAÇKM-së në luftën për shtet të lirë dhe të drejtë, janë ftuar të gjithë qytetarët e ndershëm, qëllimmirë, pa dallim të gjinisë, fesë, bindjes dhe kombësisë, të udhëhequr vetëm nga dëshira për jetë më të mirë”.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi mes tjerash uroi që duke i respektuar masat, arsyen dhe sjelljen e mirë, ta tejkalojmë edhe sfidën e quajtur Kovid-19 dhe çdo festë ta shënojmë bashkërisht, me numër të madh dhe të lirë.

Talat Xhaferi, kryeparlamentar
“Në këtë kohë të rëndësishme me plot sfida, në këtë ditë të veçantë, të përkujtojmë dy Ilindenët: Manifestin e Krushevës dhe në idenë kryesore të KAÇKM-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut, të lirë, të pavarur dhe me prosperitet, Gjithnjë duke i respektuar, duke i konsideruar dhe duke u mbështetur në të afërmit, bashkëqytetarin dhe fqinjin”.

Numri një i LSDM-së, Zoran Zaev nëpërmjet një postimi në fejsbuk tha se në ditën e Republikës, jepen nderime ndaj, siç tha ai,  të kaluarës tonë heroike.

Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së

“Së bashku me ju, të nderuar qytetarë, vazhdojmë ta ndërtojmë Maqedoninë e Veriut si shtet të lirë, demokratik dhe të përbashkët, vend mik i rajonit dhe botës. Krenarë të së kaluarës së lavdishme, edhe më të vendosur hapërojmë drejt të ardhmes së ndritshme – Maqedonia e Veriut shtet i respektuar, anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe negociuese me BE-në”,

Kreu i VMRO-DPMNE-së për festën e Ilindenit vendosi që të kërkojë falje për gabimet e partisë në të kaluarën. Ai më tej o quajti barra të VMRO-DPMNE-së, të gjithë ata që kërkuan përgjegjësi nga ai lidhur me rezultatin zgjedhorë.

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së
“Sot të gjithë ata që janë barrë e VMRO-DPMNE-së në mënyrë armiqësore sillen ndaj VMRO-DPMNE-së. Tërësisht I vetëdihshëm për veprimet e tyre gjatë së kaluarës dhe tërësisht I vetëdijshëm se pikërisht këto ishin edhe barrë e partisë, dua qartë të theksoj se unë si kryetar I VMRO-DPMNE-së, i kërkoj falje pipullit për të gjitha gabimet dhe padrejtësitë që këta njerëz kanë bërë. Ata në VMRO-DPMNE e shohin interesin personal, ndërsa unë në VMRO-DPMNE shoh kauzë”.

Urime për festën e Ilindenit pati edhe nga të gjithë liderët e të gjitha partive politike në vend. Dita e Republikës, 2 Gushti, në të cilin festohen dy Ilindenët, 117 vjet nga Kryengritja e Ilindenit dhe 76 vjet nga Mbledhja e parë e KAÇKM-së, për shkak të epidemisë u festya pa tubime masive dhe programe kulturore-artistike dhe me protokolle shëndetësore për mbrojtje nga Kovid-19 të cilat i konfirmoi Komisioni për sëmundje infektive dhe i miratoi Qeveria. “Fitore për të gjithë” ishte lajtmotivi i përbashkët i solemniteteve të cilat u mbajtën në Krushevë, Pelincë dhe në Shkup.

Ajnur Bafqari /SHENJA/