` . (VIDEO) Të rinjtë e koalicionit pastrojnë sheshin Skënderbeu, mbledhin para për ashensorin - TV SHENJA

(VIDEO) Të rinjtë e koalicionit pastrojnë sheshin Skënderbeu, mbledhin para për ashensorin

Përmes një aksioni vullnetar, aktivistë të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës nga dega e Shkupit, kanë pastruar sot sheshin Skënderbeu, në shenjë rikujtimi për autoritetet lokale të Çairit të cilët i akuzuan se nuk përkujdesën për sheshin që është ndërtuar me paratë e qytetarëve. Në këtë aksion, janë shitur edhe libra të aktorit dhe shkrimtarit Çun Lajqi, i cili mbështeti aksionin, ndërsa paratë e grumbulluara thanë se do të dhurohen për të riparuar ashensorin e sheshit. Ky ashensor i harruar nga Komuna e Çairit, siç u tha në konferencën për media, ka pamundësuar ngjitjen në shesh të personave me aftësi të kufizuara.

Zudi Koka, ASH-AAA

“Kjo që shihni sot, grumbuj me mbeturina, ashensorë të shkatërruar dhe jo funksional. Nuk është politikë por janë fakte që flasin më së miri për atë se sa kujdeset Komuna e Çairit për pronën publike. Këto janë paratë e qytetarëve që po shkatërrohen çdo ditë, kurse komuna e ka për detyrë ti mirëmbajë dhe ruajë ata. E meqë komuna nuk po e bën punën për të cilën paguhet me para të qytetarëve ne sot kemi ndërmarrë një aksion simbolik për të pastruar sheshin që t’ia rikujtojmë kryetarit obligimet e tija”

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi u shpreh i dëshpëruar që sheshi i kryeqendrës së dikurshme të vilajetit të Kosovës, sot është në gjendje më të keqe sesa në kohëra më të vështira. Ai duke kujtuar kohën kur kishte vizituar sheshin gjatë shërbimit ushtarak që kishte kryer në Shkup, ai tha se sot plehrat në këtë shesh turpërojnë edhe figurat historike kombëtare.

Çun Lajçi

“Jam i lumtur që jam në këtë shesh ku si Çun i ri kam ardh prej kazermës poshtë që isha ushtarë çdo ditë në këmbë dhe e kam shkel këtë vend, ju betohem që ishte shumë më i pastër në një kohë të egër. Sot më vjen keq që ky Çun plak ec nëpër plehërat e një qyteze, e një sheshi, e një zemër të një shqiptarie. Nëse jemi atdhetarë duhet me dashtë atdheun, nëse themi se jemi patriot atëherë duhet të jemi ata që mbjellim pemë e lule, jo të hedhim plehra rrugëve dhe tua përkufizojmë ecjen njerëzve me aftësi të veçanta. Nëse jemi ata të Skenderbeut atëherë s’guxojmë ta lejmë Skënderbeun në mes të bërllokut”

Në këtë konferencë u kritikua neglizhenca e Komunës së Çairit si në aspekt të higjienës publike ashtu dhe në aspekt të mirëmbajtjes së sheshit.

Arben Zeqiri /SHENJA/