(VIDEO) Takimi Bërdo-Brion, Pendarovski kërkoi përshpejtimin e integrimit të ballkanit perëndimor

(VIDEO) Takimi Bërdo-Brion, Pendarovski kërkoi përshpejtimin e integrimit të ballkanit perëndimor

Samiti i Brdo-Brionit që u mbajt në Slloveni, përfundoi pa u nënshkruar deklarata e përbashkët e presidentëve të rajonit, përshkak të disa mospajtimeve mes liderëve. Vetëm u dha dritë jeshile disa konkluzioneve, mes tyre, liberalizimit të vizave për Kosovën dhe dhënia e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën. Ndërkohë, u kërkua nga Bashkimi Evropian që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor për krizën energjetike dhe sigurimin e ushqimit.

Pas përfundimit të takimit të liderëve,  presidenti i vendit Stevo Pendarovski tha se ka kërkuar nga institucionet e BE-së përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Stevo Pendarovski, president

 “Institucionet e BE-së të ndërmarrin hapa të guximshëm dhe ta përshpejtojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të ju mundësojnë qasje në mekanizmat e Unionit, me qëllim që sa më lehtë të përballen me krizën ekonomike dhe energjetike. Faleminderit Sllovenisë dhe Kroacisë për mbështetjen principiele”.

Presidenti slloven, Borut Pahor si nikoqir i takimit, megjithatë konsideroi se takimi është përmbyllur me sukses, duke shtuar se ende ka dallime ndërmjet presidentëve.

Borut Pahor, president i Sllovenisë

“Më vjen mirë që mund të them se takimi është përmbyllur në mënyrë të suksesshme. Mendoj se diskutimet që i kemi pasur kanë qenë mjaft të mira dhe kemi dashur të insistojmë që të jemi më të bashkuar dhe të mos jemi të ndarë edhe pse ka disa gjëra që na ndajnë neve. Fatkeqësisht nuk kemi mundësi që të bëjmë ndonjë miratim të deklaratës edhe pse kemi bërë hartimin e saj – kishte çështje që na kanë ndarë gjatë konferencës”.

Pas samitit të Procesit Brdo-Brioni, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se në këtë takim nuk ka pasur tesione, por vetëm dallime. Qëndrimi ynë për çështjen e Kosovës ka thënë ai, është i ndryshëm nga qëndrimi i vendeve të tjera.

Emine Ismaili /SHENJA/