(VIDEO) Superekspertiza për Llaskarcën nuk është përgatitur as për 315 ditë

(VIDEO) Superekspertiza për Llaskarcën nuk është përgatitur as për 315 ditë

Për tragjedinë e shkaktuar nga “Durmo Turs” në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona, Byrosë për ekspertiza gjyqësore nuk i kanë mjaftuar as 315 ditë për ta kryer ekspertizën mbi këtë rast. Këto shifra rekorde për ekspertiza gjyqësore i publikoi  Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, mëngjesin e sotëm. Sipas tyre, urdhëri për superekspertizë ishte dhënë më datë 11.11.2021.

Me kërkesë të disa prej të akuzuarve,  gjykata kërkoi superekspertizë të përbashkët më 11 nëntor të vitit të kaluar, pas së cilës procesi u pezullua për gati një vit. Aksidenti ka ndodhur para më shumë se 3 vite e gjysmë, gjegjësisht në shkurt të 2019-tës dhe deri më tani nuk ka asnjë përgjegjësi për viktimat. I akuzuar është edhe shoferi që i mbijetoi aksidentit. Pronarët dhe drejtuesit e kompanisë dhe stacionit të kontrollit teknik akuzohen se kanë ndryshuar të dhënat e autobusit, gjë që ka ndikuar në funksionimin dhe transportimin e udhëtarëve të autobusit me defekt.

Rasti i dytë i cili po zvarritet për shkak të superekspertizës është rasti “Tenderët”, ku e akuzuar është ish-ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevska-Milevska, e cila pas aktakuzës kishte votuar ndryshimet kushtetuese nga Marrëveshja e Prespës dhe është përjashtuar nga VMRO-DPMNE.

Superekspertiza është përgatitur plotë 110 ditë, ndërsa gjykimi për rastin “Tenderët”  deri tani 5 herë është kthyer në rigjykim. Hetimin për “Tenderët” Prokuroia Speciale Publike e kishte hapur në vitin 2016, ndërsa gjykimi filloi dy vite më vonë dhe ende nuk ka përfunduar. Kërsa për superekspertizë ishte bërë më 06.04.2022.

Përndryshe, superekspertiza kryhet me kërkesë të gjykatës nëse dy ekspertizat e prokurorisë dhe mbrojtjes nuk lejojnë këshillin gjykues të konstatojë plotësisht faktet ose nëse ato janë tejet kontradiktore. Në ligj nuk ka afat të caktuar për punimin e së njejtës, por parashikohet që të bëhet në një kohë sa më të shkurtër. Zvarritja e punimit të saj mund ta zvarris procedurën në gjykatë, gjë që mund të çojë në vjetërim të lëndës dhe drejtësi joefektive për viktimat dhe të dëmtuarit e veprave penale.

Emine Ismaili /SHENJA/