(VIDEO) “Studio e Hapur”, Analistët: Maqedonia rikthehet në rrugën euroatlantike

(VIDEO) “Studio e Hapur”, Analistët: Maqedonia rikthehet në rrugën euroatlantike

Me ndryshimet kushtetuese Maqedonia është përcaktuar në shtegun që çon në Bruksel, ka ardhur në shprehje vullneti i qytetarëve dhe vendi u drejtua kah NATO dhe BE. Kështu deklaroi analisti politik Qashif Bakiu, në emisionin “Studio e Hapur” në televizionin Shenja, megjithatë sipas tij, tani pason një proces që është akoma më i vështirë se procesi i deritanishëm.

Qashif Bakiu, analist politik
“Maqedonia u rikthye në shtegun e saj të parapërcaktuar eurointegrues apo euroatlantik. Mendoj se po hapen perspektiva të reja, mendoj se po hapet një proces i cili do të jetë shumë më i vështirë nga ky që ka kaluar aktualisht dhe mendoj se më e rëndësishmja nga gjithë kjo është se Maqedonia u përcaktua rreth një vije dhe ajo vijë, ai shteg çon në Bruksel, të gjitha hamendjet e tjera ranë poshtë.”

Sipas publicistit Latif Mustafa, tani për tani kanë kaluar vetëm pengesat normative, ndërkaq mbetet për t’u parë nëse është diskutuar për pengesat vlerore apo etike.

Latif Mustafa, publicist

“Maqedonia për momentin i ka kaluar të gjitha pengesat normative për të bërë aplikime procedurale, për t’i ndjekur procedurat dhe etapat për anëtarësim në BE dhe strukturat euroatlantike. Por a ka diskutuar për pengesat vlerore, ajo mbetet për tu parë.. Në këtë fazë mund të bisedohet vetëm për aspektin normativ të kalimit të kësaj gjendjeje dhe uroj që gjërat nga normativiteti të kalojnë në aspektin etik apo vleror.  ”

Edhe publicisti Nijazi Muhamedi vlerëson se duhet të merret më me qetësi euforia që është ngritur nga pushteti, pasi sipas tij, është hequr vetëm pengesa e vetos së Greqisë për anëtarësim, ndërsa tani vijon beteja e vlerave evropiane e normatizimit të principeve, që sipas tij, këto vlera janë akoma janë shumë larg.

Nijazi Muhamedi, publicist
Tash është beteja e vlerave evropiane e normativizimit të principeve që janë këto shumë larg. Është hequr vetëm pengesa që e bllokonte Maqedoninë me veton e Greqisë në NATO dhe BE, që NATO mund të kalojë pak si më në shpejtësi, por në BE filigranimi i Maqedonisë në të gjitha aspektet edhe të vlerave edhe të normave, të institucioneve do të nis nga e para. Besoj që në këtë aspekt duhet ta marrim më qetë atë eurofinë që e ngriti ky pushtet.”

Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se ngelet një pikëpyetje shumë e madhe nëse do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale. Ndërkaq sa i takon kandidatit për president ata theksojnë se duhet të shihet se çfarë presidenti  nuk i duhet Maqedonisë duke u bazuar në personat që deri më tani kanë qenë në këtë post.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=dG7gJj8OB_8