(VIDEO) Stoltenberg-Kovaçevski: Integrimi i RMV-së në NATO stabilizon rajonin

(VIDEO) Stoltenberg-Kovaçevski: Integrimi i RMV-së në NATO stabilizon rajonin

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski ka filluar vizitën dy ditore në Bruksel në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Stoltenberg përshëndeti kontributin e Maqedonisë së Veriut në misionet paqëruajtëse të NATO-s në këto dy vite që kur vendi u anëtarësua në Aleancën Veriatlantike. Ai theksoi edhe një herë se NATO e garanton sigurinë dhe stabilitetin e anëtarëve të saj.

 JENS STOLTENBERG, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO-S
“Kaluan tashmë dy vjet që kur Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO dhe ju dëshmuat se jeni vërtetë aleat i rëndësishëm. Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi të madhe për NATO-n. I përshëndes përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të promovuar siguri, stabilitet dhe prosperim në rajon. Prej kur Maqedonia e Veriut u kyç në NATO, Aleanca e garanton sigurinë tuaj. Tani jeni pjesë e politikës së sistemit të aviacionit të NATO-s, që është dëshmi e solidaritetit të NATO-s, ne mbrojmë njëri-tjetrin”

Kryeministri Kovaçevski nga ana tjetër theksoi se anëtarësimi në NATO ishte arritje e qëllimeve strategjike për vendin, por edhe garancë për stabilitetin në rajon.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë siguri, prosperitet dhe stabilitet për vendin tim dhe popullin maqedonas. Politika e dyerve të hapura i mundësoi Maqedonisë së Veriut që të arrijë qëllimin e madh dhe suksesin në sferën e sigurisë, për ne dhe për NATO-n, me faktin që u bëmë vendi i 30të anëtar i NATO-s. Kjo arritje është dëshmi për zgjedhjen tonë të lirë dhe sovrane, por edhe garanci për stabilitetin rajonal të Ballkanit Perëndimor”

Në takim është folur edhe për situatën e tensionuar në Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg tha se shpreson që të gjendet zgjidhje politike për krizën, por në të kundërtën NATO është e gatshme të ndihmojë aleatët e saj.  /SHENJA/