` . (VIDEO) Sot përfundon afati për dorëzimin e emrave të këshilltarëve komunal - TV SHENJA

(VIDEO) Sot përfundon afati për dorëzimin e emrave të këshilltarëve komunal

Sot është afati i fundit që Komisionet Komunale Zgjedhore  të konfirmojnë zyrtarisht listat e kandidatëve për kryetarë dhe anëtarë të këshillave komunal, të paraqitur nga partitë politike, koalicionet dhe grupet e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Listat e konfirmuara Komisionet komunale I dorëzojnë në Komisionin shtetëror zgjedhor  I cili deri më 23 shtator duhet të hedhë shortin për  të përcaktuar renditjen e fletëve të votimit. Kandidatët për kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh të një partie ose koalicioni marrin të njëjtin numër rendor në të gjitha komunat.

Gjithashtu, jo më vonë se 23 shtator, përfaqësuesit e autorizuar të të gjitha partive politike, pra paraqitësit e listave të kandidatëve për zgjedhjet vendore, pritet të nënshkruajnë një Kod të Zgjedhjeve të Drejta dhe Demokratike në nivel qendror, të organizuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në bashkëpunim me Institutin Demokratik Kombëtar.

Fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit fillon më 27 shtator, ndërsa përfundon më 15 tetor në mesnatë. Zgjedhjet lokale do të mbahen me respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19. /SHENJA/