(VIDEO) Sllovenia e ratifikoi Protokollin për anëtarësimin në NATO

(VIDEO) Sllovenia e ratifikoi Protokollin për anëtarësimin në NATO

Republika e Sllovenisë sot në seancë të jashtëzakonshme e ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Me këtë, Sllovenia u bë vendi i dytë i vendeve anëtare të aleancës, pas Greqisë, që e kanë ratifikuar Protokollin qasës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.

Në seancë para votimit mbajti fjalim kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi i cili e kryesoi delegacionin e Kuvendit të Maqedonisë në vizitën e punës në Lubjanë. Ai shprehu falënderim në emër të Kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe theksoi se me këtë akt është konfirmuar marrëdhënia fqinjësore ndaj qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Sipas Xhaferit, edhe njëherë është treguar se mes dy shteteve nuk ka çështje të hapura. Ai e theksoi rolin e të dy parlamenteve, të cilët në tre shekuj ndërtuan marrëdhënie intensive bilaterale.

Gjatë fjalimit të tij, Xhaferi foli edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë edhe ndryshimet e miratuara kushtetuese, të cilat siç është shprehur ai, u tejkaluar kontesti rreth emrit kushtetues. Ndërsa sa i përket nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës dhe miratimit të saj në kuvendet nacionale të dy vendeve, Xhaferi tha se ajo është një situatë win win, në të cilën të gjithë janë fitues dhe humbës. Ai shpreson që deri në fund të këtij viti, Protokolli do të miratohet në parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare të NATO-s dhe pret që këtë vit vendi të merr edhe datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Ndërkohë, protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, kaloi sot edhe në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa të enjten pritet që të votohet edhe në seancë plenare.

Teuta Buçi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=xVsG-uUDBi8