` . (VIDEO) Shtohen zërat për zgjedhje më 5 korrik - TV-SHENJA

(VIDEO) Shtohen zërat për zgjedhje më 5 korrik

Gjithnjë e më shumë shtohen zërat për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 5 korrik. Kjo është data të cilën LSDM edhe publikisht ja ka ofruar opozitës si kompromis pas dështimit të marrëveshjes për fundin e Qershorit. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev në profilin e tij në Facebook ka publikuar një video ku mes tjerash thekson se vendi ka nevojë për zgjedhje sa më parë të jetë e mundur në mënyrë që vala e re e koronavirusit ta gjej vendin të përgatitur.

Zoran Zaev, kryeministër

“Qytetarët dhe shteti kanë nevojë për institucione me legjitimitet të plotë për të krijuar kushte për normalitetin e ri, me kapacitet të plotë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të rinisim ekonominë e Maqedonisë”

Pro kësaj date është shprehur edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Zëvendës kryeministri Bujar Osmani ka thënë se partitë i kanë përafruar qëndrimet sa i përket datës se zgjedhjeve dhe ato po sillen diku rreth datës 5 korrikut si një datë e mundshme për zgjedhje.

Bujar Osmani, BDI

“Dallimi nuk është aq i madh mes partive politike, është diku rreth 10-15 ditë në mes dy ekstremeve sa i takon propozimeve për datën. Ashtu që 5 korriku mund të jetë një datë në të cilën mund të takohemi të gjithë,.

Nga ana tjetër kryeministri teknik, Olivr Spasovski, ka paralajmëruar opozitën se nuk ka asnjë kompromis me Kushtetutën dhe ajo është e qartë se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen brenda 60 ditëve nga shpërbërja e Kuvendit.  Sipas kësaj, Spasovski ka kujtuar se kanë mbetur edhe 22 ditë që nga dita e ndërprerjes së procesit zgjedhor për shkak të pandemisë dhe se për aq ditë pasi të kalojë gjendja e jashtëzakonshme do të mbahen zgjedhjet nëse nuk ka marrëveshje tjetër. Ai ka paralajmëruar Qeveria deri në fund të javës do të vendosë nëse do të ketë një gjendje të re të jashtëzakonshme të tretë e cila sipas tij është e nevojshme kryesisht për zbatimin e masave ekonomike, por edhe e vetmja mundësi për shtyerjen e afatit prej 22 ditëve për mbajtjen e zgjedhjeve.

Oliver Spasovski, kryeministër

“Nëse kemi nevojë në bazë të analizave që gjendje e jashtëzakonshme të shpallet edhe disa ditë tjera për t’u marrë me pasojat ekonomike, ne do ta bëjmë atë dhe kur të mbarojë gjendja e jashtëzakonshme, zgjedhjet do të mbahen në 22 ditë. Unë pres që të gjithë do të jenë mjaft të arsyeshëm, politikisht të mençur për të kuptuar që këto zgjedhje parlamentare duhet të mbahen në një kohë kur është e mundur të bazuara në Kushtetutë dhe ligj dhe të bazuar në këtë krizë shëndetësore”,

VMRO-DPMNE në takimin e fundit të liderëve që përfundoi pa marrëveshje insistonte që zgjedhjet të mbahen në fund të gushtit ose fillim të shtatorit. Nga kjo parti këto ditë kanë akuzuar LSDM-në se rrezikon jetën e qytetarëve për interesa të partisë.

Arben Zeqiri /SHENJA/