(VIDEO) Shekerinska: Protokolli për NATO do të jetë gati në shkurt

Protokolli për anëtarësim të Maqedonisë  në NATO do të jetë gati në momentin kur Marrëveshja e Prespës të implementohet dhe ratifikohet nga të dyja palët. Kështu është shprehur ministria e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, e cila pret që pjesa e obligimeve që i takon Maqedonisë të realizohet në kohë dhe në përputhje me planet. Ajo pret që të njëjtën ta bëjë edhe pala greke.
Radmilla Sheqerinska, ministre e mbrojtjes
“Hapat lidhur me implementimin e Marrëveshjes së Prespës si dhe nënshkrimi i protokollit për NATO janë biseduar me përfaqësues të NATO-s. Hapat janë definuar në Marrëveshjen e Prespës, por janë definuar edhe çdo herë kur kemi diskutuar me personat zyrtarë të NATO-s dhe me Greqinë. Që të mund të ratifikohet protokolli për NATO, atë protokoll duhet që patjetër ta përpilojë NATO. Të gjithë përfaqësuesit e NATO-s, duke filluar nga sekretari gjeneral që nga fillimi i këtij procesi e kanë dërguar mesazhin se protokolli do të jetë gati në momentin kur Marrëveshja e Prespës do të implementohet dhe ratifikohet nga të dyja palët”
Zëvendës kryeministrja Sheqerinska bëri të ditur se tani bëhet fjalë për javë dhe jo për interval më të gjatë kohor. Ajo pret që protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO të dorëzohet në Kuvendin e Greqisë, menjëherë pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës.
Radmilla Sheqerinska, ministre e mbrojtjes
“Kjo nënkupton se praktikisht nga shkurti Maqedonia do ta plotësojë qëllimin strategjik. Do të ulemi në tavolinën në të cilën sillen vendimet më të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me rajonin tonë edhe me paqen dhe stabilitetin në botë. Prandaj edhe viti 2019 është i rëndësishëm, prandaj edhe ajo që është punuar vitin e kaluar është e rëndësishme. Shimë vite flasim për NATO, shumë vite themi se siguria në Maqedoni do të jetë shumë herë më e madhe me anëtarësimin tonë”

Këto komente Sheqerinska, i bëri gjatë një vizitë të pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë në kufirin jugor ku prej vitit 2015 ata janë vendosur për të siguruar parandalimin e fluksit të migrantëve ilegal.

Arben Zeqiri /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=dIoVHlLeqR0