(VIDEO) Seanca plenare për propozimin francez pas pesë ditësh

(VIDEO) Seanca plenare për propozimin francez pas pesë ditësh

Propozimi francez për nisjen e negociatave me Bashkimin Europian do të shkojë direkt në senacë plenare dhe nuk do të kthehet në Qeveri ashtu siç kërkon VMRO-ja opozitare. Në koordinimin e sotëm të mbajtur mes kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare është vendosur që kryeparlamentari të shpërndajë Informacionin tek deputetët në formën në të cilën është pranuar. Nga Kuvendi theksojnë se nuk ka dispozitë në Rregullore e cila i mundëson Kryetarit të Kuvendit ta kthejë Informacionin tek propozuesi.
KUVENDI I MAQEDONISË SË VERIUT
“Përfaqësuesi i Qeverisë, Bojan Mariçiq do t’i transmetojë qëndrimet e opozitës dhe informacionet nga koordinimi në Qeveri për nevojën për plotësimin e Informacionit me materialet që kanë qasje publike për gjithë opinionin të cilat në Informacion janë theksuar si referencë. Në pajtim me Rregulloren, kryetari do të informojë në mënyrë përkatëse për datën e përcaktimit të seancës plenare”.
VMRO-DPMNE kërkon nga kryeparlamentari dhe këmbëngul që Informacionin për përmbajtjen e propozim-kornizës ta kthejë Qeverisë me vërejtjen se është dërguar vetëm Informata, dhe nuk është si material i plotë.
Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së
“Feltën për të cilën Qeveria e quan Informacion për përmbajtjen e kornizës negociuese për negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së është mungesë respekti për ne deputetët. Nuk mundet me një flet prej letreje të diskutohet për punën më të rëndësishme në vend për 10 vitet e ardhshme. Ky është një degradim klasik i integriteti dhe intelektit të çdo deputeti”.
LSDM-ja e quajti folklor politik kërkesën e VMRO-DPMNE-së për kthimin e Informacionit tek ekzekutivi, pasi sipas tyre të gjitha materialet janë transparente.
Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së
“Nëse këto materiale nuk janë të kapshme, atëherë ç’ka kemi bërë ne 3-4 orë, në bazë të cilave dokumente kemi biseduar. Në bazë të cilave dokumente krijohet përshtypja ose në bazë të cilave dokumente mbahen konferencat për media nga ana e partisë opozitare. Kështu që këtë edhe një herë mund ta quaj vetëm folklor politik”
BDI thotë se opinioni në mënyrë transparente është njoftuar për përmbajtjen e këtij propozimi dhe se aspak nuk qëndrojnë pretendimet e opozitës për mungesë transparence.
Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së
“Aspak nuk qëndrojnë pretendimet e opozitës për mungesë të transparencës, përkundrazi kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe Qeveria ka pasur si objektiv parësor që të njoftojë opinionin me përmbajtjen e këtyre dokumenteve”
Kryetari i Kuvendit do ta thërras seancën plenare për propozimin francez, pas debatit për miratimin e Rishikimit të Buxhetit për vitin 2022, i cili do të zgjasë pesë ditë.
Linda Ebibi /SHENJA/