(VIDEO) Sahatët e energjisë elektrike do të kontrollohen katër herë në vit

(VIDEO) Sahatët e energjisë elektrike do të kontrollohen katër herë në vit

Për shkak të ankesave të qytetarëve për fatura paushalle të energjisë elektrike,  Avokati i Popullit dhe Komisioni Rregullator i Energjetikës kërkojnë ndryshime në rregullat për furnizim me energji elektrike. Gjegjësisht, thanë se do të kërkohet që të bëhet e detyrueshme që operatorët për energji elektrike të kontrollojnë orëmatësit e rrymës katër herë në vit, ndryshe nga tani, që bëhet vetëm një herë në vit.

Pas takimit të përbashkët mes Naser Ziberit dhe Marko Bislimovskit, ato poashtu bënë me dije se do të ofrojnë si opsion që qytetarët të kenë mundësi që faturat e shtrenjta që vijnë gjatë dimrit, t’i paguajnë gradualisht gjatë muajve kur faturat e energjis vijnë më lirë.

Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së 

“Nëse qytetari ngrohet me energji elektrike është fakt se dimrit do ta ketë pikun. Nëse dëshiron që shpenzimet e energjisë elektrike t’i ketë të balancuara, kjo është esenca, vetëm nëse dëshiron qytetari. Fakt është se nëse ngrohet me energji elektrike ndoshta paguan 6000 denarë, përsëri 6000, pastaj në mars paguan 4000, në prill 2500, në muajt e verës 1500 dhe kjo të jetë më e balancuar. Është si opsion që qytetarët të bëjnë shpërndarje të balancuar të buxhetit të vet”.

Sa i përket metodologjisë së re të harxhimit të energjisë elektrike dhe ndarjes së konsumatorëve në blloqe, Ziberi vlerëson se nuk është as kundër kushtetuese as në kundërshtim me të drejtat e konsumatorit.

Naser Ziberi, Avokat i Popullit  

“Nuk mendoj se ka këtu diskriminim të së drejtave apo kundërshtim kushtetues, aq më tepër që çdo shtet mban llogari për gjendjen sociale. Në këtë kontekst mund të diskutohet edhe çështje e mënyrës së përcaktimit të tatimeve, a do të kemi tatim të sheshtë apo progresiv”.

Kryetari Bislimovski theksoi se vendi ynë është i varfër për sa i përket energjisë, nuk kemi naftë dhe gazë, kurse rezervat e qymyrit janë nga fundi dhe atë qymyr që e kemi është i cilësis jashtëzakonisht të keqe.  Emine Ismaili /SHENJA/