` . (VIDEO) Rishikimi i buxhetit në Komisionin parlamentar, VMRO me 170 amendamente - TV SHENJA

(VIDEO) Rishikimi i buxhetit në Komisionin parlamentar, VMRO me 170 amendamente

Kuvendi ka filluar sot debatin për rishikimin e dytë të Buxhetit për këtë vit, që ka për qëllim realizimin e masave nga pakoja e katërt. Debati ka filluar në Komisionin për Financim dhe Buxhet ku më së shumti mund të zgjat deri në 10 ditë. Nga VMRO-DPMNE-ja kanë paralajmëruar 170 amendamente ndaj propozimit për rishikimin e buxhetit. Sipas propozimit të Qeverisë. Të ardhurat me rishikimin e ri janë më të ulëta për 0.2 për qind krahasuar me rishikimin e parë, shpenzimet janë më të larta për 4.2 për qind dhe deficiti është rritur me 22.6 për qind krahasuar me rishikimin e parë dhe nevojitet për të financuar masat.

Me ndryshimet dhe plotësimet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë të Veriut për vitin 2020, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 196.4 miliardë denarë dhe janë pothuajse identike me planin, duke pasur parasysh se me ndryshimet e mëparshme të Buxhetit ato ishin planifikuar në niveli real, pra më i ulët për 11.5 për qind krahasuar me parashikimet fillestare të buxhetit. Në paraqitjen e propozimit, ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se me rishikimin e buxhetit mundësohet zbatim i pakos së katërt të masave antikrizë, që synohet të sigurojë qëndrueshmëri të aktiviteteve të brendshme ekonomike dhe vendeve të punës, të rimëkëmben aktivitete të caktuara, të sigurojë stabilitetin e transferimeve sociale dhe të sigurojë politika të cilat do të ndihmojnë në zbatimin e një strategji dalje të shpejtë, me qëllim për të vazhduar me trendet pozitive të ekonomisë vendore, kur kriza të ketë mbaruar.

Fatmir Besimi, ministër i financave

“Grupi i katërt i masave ka tre shtylla. E para është menduar për qytetarët, segmenti shoqëror që u referohet qytetarëve dhe standardit të tyre për përballimin e kësaj periudhe. Shtylla e dytë i referohet sektorit privat, pra aktivitetit ekonomik dhe vendeve të punës, të gjitha aktivitetet që përfshijnë likuiditet, stabilitet financiar dhe rimëkëmbje ekonomike. Shtylla e tretë nënkupton stabilitetin fiskal dhe financiar të ekonomisë në tërësi. Masat e synuara do të zbusin ndikimin në kompanitë e prekura vendore duke stimuluar konsumin privat dhe duke mbështetur sektorin privat”

Në rishikimin e buxhetit, në pjesën e të ardhurave, të hyrat tatimore marrin pjesë me 55.6 për qind dhe janë planifikuar në nivelin prej 109.2 miliardë denarë. Kontributet e sigurimeve shoqërore si të ardhura burimore të mjeteve janë planifikuar në vlerë prej 65 miliardë denarë ose 2.6 për qind më e lartë se plani për vitin 2020. Të hyrat e tjera – donacione jo-tatimore, kapitale dhe të huaja janë planifikuar në nivelin prej 22.1 miliardë denarë. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 253 miliardë denarë ose 4.2 për qind, ose 10.1 miliardë denarë më shumë. Bazuar në të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, deficiti pozicionohet në vlerë prej 56.6 miliardë denarë, ose 8.4 për qind e BPV-së.

Arben Zeqiri /SHENJA/