` . (VIDEO) Rishikimi i buxhetit në fazën finale, VMRO me 188 amendamente - TV SHENJA

(VIDEO) Rishikimi i buxhetit në fazën finale, VMRO me 188 amendamente

VMRO-DPMNE ka dorëzuar 188 amendamente për rishikimin e buxhetit, i cili ka hyrë sot në seancë plenare për miratim përfundimtar. Nga kjo parti kanë thënë sot se buxheti krejtësisht i paplanifikuar projekton minus 8.5% nga bruto prodhimi vendor dhe zbrazëtirë prej 920 milionë euro. Këto, tha deputeti Bojan Stojanovski, janë para që do të mbulohen nga huazimet dhe kjo nënkupton se borxhi rritet, por pa shtuar gjëra të cilat do të kenë vlerë të shtuar.

 Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE

“Zoran Zaev kur e ka planifikuar buxhetin, ka menduar për vete dhe jo për qytetarët dhe kompanitë. Masat e Zaevit janë jo funksionare dhe të pashfrytëzueshme. Shfrytëzimi I tre pakove të para të masave është mezi 55%, ndërsa e njëjta pritet të ndodhë edhe me këtë pako të masave. Kjo është rrezultat i punës pa plan. Zoran Zaev krejtësisht pa plan dhe pa zhvillim i shpenzon paratë e qytetarëve dhe në këtë drejtim deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe opozitës, dorëzuam 188 amendamente me dy qëllime, e para të stimulojmë investimet kapitale dhe e dyta të pengojmë ndotjen nga grimcat PM10, të cilat janë transmetuese të virusit duke u mbështetur në deklaratat e Venko Filipçes”

Ndërkohë, koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski, para fillimit të seancës plenare, ka ftuar të gjithë deputetët të dëshmojnë konstruktivitet dhe përgjegjësi, të miratohet buxheti pasi me këtë rishikim siç u shpreh ai, ndihmohen qytetarët dhe kompanitë. Mitrevski përsëriti edhe një herë mbështetjen që jepet me pakon e katërt të Qeverisë që parashihet në këtë rishikim të buxhetit.

Jovan Mitrevski, LSDM

“Me këtë rishikim sigurohen 470 milion euro për realizimin e pakos së katërt të masave për ballafaqim me pasojat e krizës së korona virusit. Përmes kësaj pakoje 70 milion euro do të destinohen për mbështetjen e 83 mijë vendeve të punës, gjegjësisht do të subvencionohen gjithsej 250 mijë paga për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Kësaj here mbështetja për pagat do të jetë e nivelizuar nga 14.500 denarë deri në 21.776 denarë në muaj, varësisht nga rënia e përfitimeve të kompanive që kanë aplikuar për ndihmën financiare. Me 27.6 milion euro do të ndihmohen 283 mijë qytetarë që do të fitojnë kartela vendore pagesore. Kartela pagesore do të fitojnë pensionistët me pensione deri 15.000 denarë, nëna vetëushqyese, personat e papunësuar dhe personat mbi 64 vjet dhe por nuk kanë pension social”

Seanca plenare ku në rend dite është rishikimi i buxhetit filloi me vonesë. Ajo do të zgjasë më së shumti pesë ditë dhe pas kësaj periudhe do të vendoset në votim.

Arben Zeqiri /SHENJA/