` . (VIDEO) Rijaseti: Transferimi në Shkup dhe zgjedhjet e reja janë çështje teknike - TV-SHENJA

(VIDEO) Rijaseti: Transferimi në Shkup dhe zgjedhjet e reja janë çështje teknike

Pas mbledhjes së djeshme të Rijasesit të Bashkësisë Fetare Islame në të cilën u shkarkuar reisi Sulejman Rexhepi dhe u emërua ushtruesi i detyrës, Shaqir Fetahu, gjatë ditëve në vazhdim pritet që reisi i përkohshëm deri në organizimin e zgjedhjeve të drejtojë me këtë institucion dhe të transferohet në selinë qendrore në Shkup. Por nga BFI ende nuk kanë njoftuar se kur ushtruesi i detyrës kryetar i BFI-së, Shaqir Fetahu, do të vijë në zyrën qendrore të Bashkësisë Fetare Islame.

Kjo çështje ashtu si edhe të tjerat që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve dhe emërimeve të brendshme, siç mëson Televizioni Shenja, kanë mbetur vetëm si çështje teknike dhe nuk priten komplikime eventuale. Mbledhja e djeshme e rijasetit që u mbajt në Gostivar ku ishin të pranishëm dy e tretat e anëtarëve dhe njëzëri u zgjodh ushtruesi i detyrës, ka kaluar pa probleme qofshin ato të karakterit organizativ ose të ndonjë lloji tjetër. Deri më sot muftinitë dhe anëtarët e tjerë të Rijasetit nuk kanë paraqitur ndonjë kundërshtim ose ankesë rreth procedurës nga mbledhja e fundit.

Pas zgjedhjes së kryetarit të përkohshëm të Bashkësisë Fetare Islame, Rijaseti dhe organet e larta të këtij institucioni do të duhet të organizojnë zgjedhjet e rregullta për zgjedhjen e kryetarit të BFI-së me mandat të plotë, siç parasheh Kushtetuta e institucionit më të lartë të komunitetit musliman në Maqedoninë e Veriut. Ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të mbahen këto zgjedhje, por nga BFI pritet që periudhën në vijim të njoftojnë edhe zyrtarisht për kohën dhe procedurën që do të ndiqet për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme.

Arben Zeqiri /SHENJA/