` . (VIDEO) Retro/ Shumë debate për caktimin e datës së zgjedhjeve - TV SHENJA

(VIDEO) Retro/ Shumë debate për caktimin e datës së zgjedhjeve

Më 15 korrik të vitit 2020, mbahen zgjedhjet e dhjeta parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ndërsa të pestat të parakohshme. Nëse këto zgjedhje do të ishin të rregullta do të duhej të mbaheshin më 11 dhjetor të këtij viti.

Vendimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare erdhi pas takimit të Këshillit Evropan, të cilët më 17 dhe 18 tetor nuk caktuan datë për hapjen e bisedimeve për pranim në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Vendimin që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, e morën liderët e të gjitha partive politike së bashku me presidentin e vendit dy ditë më vonë në takimin e liderëve, ndërsa 12 prilli ishte data që u caktua për mbajtjen e zgjedhjeve.

Në bazë të Marrëveshjes së Përzhinos, 100 ditë para zgjedhjeve, më 3 janar u formua Qeveria teknike, ndërsa më 16 shkurt u votua vetëshpërndarja e Kuvendit.

Pas shpërbërjes së Kuvendit, gjegjësisht në muajin mars, në Maqedoninë e Veriut, sikurse edhe në nivel global, shpërtheu koronavirusi, gjë që e futi Maqedoninë e Veriut në një gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa edhe qeverisë teknike i dha pushtet të jashtëzakonshëm, gjegjësisht të drejtën e sjelljes së dekreteve me fuqi ligjore, e gjithë kjo me qëllim të respektimit të masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Pas disa javësh marrëveshjesh politike, u vendos që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik 2020.

Për shkak të krizës shëndetësore me pandeminë COVID-19, u vendos që këto zgjedhje dhe kjo fushatë të zhvillohen në rrethana ndryshe nga çdo cikël tjetër zgjedhorë. Të gjithë pjesëmarrësit, votuesit dhe bordet zgjedhore do të duhet të respektojnë masat e veçanta për mbrojtje nga koronavirusi, siç janë distanca fizike, mbajtja e maskave dhe dezinfektimi i dyfishtë i duarve.

Ndryshe nga çdo cikël tjetër zgjedhorë, në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare do të votohet 3 ditë, në ditën e zgjedhjeve do të votohet deri në orën 21:00, ndryshe nga paraprakisht kur procesi i votimit përfundonte në orën 19:00. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare këtë vit nuk mbahen të dielën, por në ditën e mërkurë, e cila do të jetë ditë jopune.

Ajnur Bafqari /SHENJA/