(VIDEO) Refuzimi i nismës për referendum, përplasen pushteti dhe opozita

(VIDEO) Refuzimi i nismës për referendum, përplasen pushteti dhe opozita

VMRO DPMNE akuzon kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi se ka marrë vendim jashtë kompetencave të tij me refuzimin e nismës për referendum. Sipas opozitës, kryeparlamentari nuk mund të bëjë interpretim të Kushtetutës dhe rrjedhimisht ka keqpërdorur pozitën e tij. Nënkryetari i VMRO DPMNE-së thotë se qëllimi i pushtetit ishte që me çdo kusht të shpiket një mangësi dhe të refuzohet nisma, me qëllim që të mos lejohet referendumi.

VLLADO MISAJLLOVSKI, NËNKRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Nuk është punë e kryetarit të Kuvendit ta interpretojë Kushtetutën, kjo është punë e Gjykatës Kushtetuese. Refuzimi i nismës për referendum është bërë me argumente të shpikura dhe arsye të jashtëligjshme. Sido që të ishte nisma e VMRO DPMNE-së ose qytetarëve, ata do të gjejnë pengesë ose pikë ose presje për ta penguar. Këtë e pamë edhe në arsyetimin e Xhaferit. Por organet partiake do të mblidhen dhe do të diskutojmë për hapat e ardhshëm”.

Megjithatë sipas LSDM-së në pushtet, nisma e opozitës është qartësisht në kundërshtim me Kushtetutën, por edhe shkon kundër interesave shtetërore. Refuzimi i kësaj nisme ishte epilog i pashmangshëm sipas tyre.

MARTIN KOSTOVSKI, LSDM
“Nisma për referendum e Hristijan Mickoskit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat nacionale, prandaj refuzimi i saj është i pritshëm. Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë është marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa neni 118 i Kushtetutës parashikon qartë se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara janë pjesë e rregullimit të brendshëm dhe nuk mund të ndryshohen me ligj. Për këtë shkak sipas Kushtetutës, ndërprerja e një akti juridik paraqet ndryshim të aktit”.

Nga partia shqiptare në pushtet BDI madje thonë se VMRO DPMNE qëllimisht ka dërguar nismë në kundërshtim me Kushtetutën, vetëm e vetëm që të akuzojë pushtetin për obstruksione dhe të krijojë ndarje të reja në shoqëri.

ARBËR ADEMI, BDI
“BDI i bën thirrje opozitës që ta pranojë dhe mbështetë Marrëveshjen me Bullgarinë, e cila është marrëveshje ndërkombëtare dhe sipas Kushtetutës nuk mund të ndryshohet veprimi juridik i saj. Është e qartë se opozita me qëllim e ka menduar dhe dërguar nismën për referendum pa bazë juridike, në kundërshtim me Kushtetutën, me një qëllim të vetëm, që të refuzohet dhe pastaj të krijohen ndarje dhe tensione mes qytetarëve”.

VMRO DPMNE dorëzoi nismë për referendum lidhur me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, të arritur mes dy vendeve në vitin 2017. Kryeparlamentari Talat Xhaferi refuzoi mbrëmë nismën e VMRO DPMNE-së duke u thirrur në nenin 118 të Kushtetutës, i cili thotë se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend nuk mund të ndryshohen me ligj. /SHENJA/