` . (VIDEO) Rasti “Alfa”, mbrojtja kërkon rigjykim, dorëzon në gjykatë ekspertizë të re - TV SHENJA

(VIDEO) Rasti “Alfa”, mbrojtja kërkon rigjykim, dorëzon në gjykatë ekspertizë të re

Mbrojtja e rastit “Alfa”, ka kërkon nga gjykata përsëritje të rastit. Ndërsa, ndërkohë ka përgatitur ekspertizë, me një ekspert nga Serbia, të cilën do të dorëzojnë si shtojcë, në kërkesën për rigjykim, që e kanë dorëzuar në Gjykatën Penale. Drejtori i Qendrës për Forenzikë në Serbi, Nenad Shipka, i cili e ka përgatitur ekspertizën, me kërkesë të familjes së të akuzuarëve, deklaroi se në bazë të analizës që e ka bërë, me shumë përgjegjësi dëshmon se Agim Islami dhe Rexhail Kerimi janë dënuar me prova të paligjshme.

Nenad Shipka, drejtor i Qendrës për Forenzikë në Serbi

“Si përfundim më i rëndësishëm, me përgjegjësi  vërtetoj se Agim Islami dhe Rexhail Kerimi janë të gjykuar në bazë të argumenteve të paligjshme, përmes një procedure dhe ekpertize, me pjesëmarrës pjesëtarë policor. Neni 236, paragrafi 2 nga kodi Penal të Maqedonisë së Veriut, i cili vlen këtu, përmes rregulloreve të qarta që eksperti nuk duhet të jetë i punësuar bashkë me të dëmtuarin në të njëjtin vend”.

Me zbatimin e kësaj teknologjie tha se ka vërtetuar se hija e cila është e incizuar në atë video nuk është e Agim Islamit. Me përgjegjësi të plotë thotë se Agim Islami nuk gjendet në video incizim dhe nuk ka gjuajtur me armë zjarri ndaj makinës të tipit Mazda, e cili është gjendur në parkingun e fakultetit të matematikës. Sipas tij, provat me të cilat i ngarkojnë këta  dy djem janë ekspertiza të bëra nga pjesëtarët e policisë,  ekspertiza e AND-së në bisht cigareje dhe tek timoni. Për Islamin nuk ka asnjë provë tjetër, ndërsa për Kerimin është edhe një dëshmitar i mbrojtur që pohon se e ka parë.

Sipas ish të akuzuarit në këtë rast, Ramiz Dautit, për shkak se shteti nuk ka mjete teknike për zbardhjen e videos së këtij rasti, janë detyruar që të marrin ekspert nga Serbia dhe ta punojnë ekpertizën.

Ramiz Dauti, ish i akuzuar

“Unë kam vërtetuar që ditën kur ka ndodhur vrasja se Agimi ka qenë me mua në një tavolinë, kemi qnë prezent bashkë dhe tash vetëm erdh koha në bazë të analizës të cilën e kemi pritur prej shtetit gati 12 vjet, nuk ka mundur të ndodh ajo, duke mos pasur mjete teknike për zbardhjen e videos. Tash unë pres vetëm vërtetimin e asaj që ne kemi deklaruar 12 vite, tash po bëhen 13 për Agimin dhe Rexhailin”.

Avokatja Artene Iseni pret nga gjykata vendim të drejtë dhe mundësim të përsëritjes së këtij procesi gjyqësor.

Artene Iseni, avokate

“Presim që gjykata shumë shpejtë të sjellë një vendim të drejtë, të lejoj përsëritjen e procedurës dhe t’i liroj të dy të gjykuarit që të mbrohen në liri dhe pastaj në nëj procedurë të drejtë, të paanshme do ta dëshmojmë se të dy të denuarit janë të pafajshëm”.

Kujtojmë se, në parkingun e fakultetit matematiko natyror në Shkup, me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, më 26 nëntor të 2008-tës, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi. Por ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët kishte qenë në patrullë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi.

Emine Ismaili /SHENJA/