` . (VIDEO) Rashiti: Kosova u përdor për të zgjidhur çështjet ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve - TV SHENJA

(VIDEO) Rashiti: Kosova u përdor për të zgjidhur çështjet ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve

Drejtori ekzekutiv i Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG), Naim Rashiti, flet për zhvillimet më të fundit në Kosovë, pas dështimit të takimit të 27 qershorit në Uashington, i cili prej kohësh ishte paralajmëruar si një kthesë e fuqishme në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, por që dështoi në çastet e fundit.

Rashiti në intervistën ekskluzive për revistën SHENJA, theksoi se takimi në Shtëpinë e Bardhë pritej të përcaktonte shumëçka. Së pari do të ishte fillimi i një procesi intensiv i negociatave mes Kosovës e Serbisë e që pritej të përmbyllej me një marrëveshje deri në vjeshtë si dhe të vendoste një marrëveshje me karakter ekonomik.

Naim Rashiti, Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan

 “Nëse do të kishin ndodhë këto, do të ishin themeli apo korniza e vazhdimit të procesit për të gjithë lehtësuesit. Nëse do të dështonte, besoj se përfaqësuesi amerikan do të tërhiqej. Pra, ishte takim shumë më rëndësi për të vendosur dialogun Kosovë-Serbi në binarë të duhur drejt një dialogu të pandalshëm. Natyrisht dikujt nuk i pëlqeu, dhe edhe njëherë u përdor Kosova për të zgjidhur çështjet mes disa aktorëve në BE dhe disave në SHBA”.

Rashiti thekson se në anën tjetër zyrtarizimi eventual i aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve, do të jetë një proces i rëndë mbi supet e Kosovës. Sipas tij, në këndvështrimin afatgjatë, Kosova përfiton shumë nga pastrimi dhe zgjidhja e këtyre akuzave, por për gjendjen ku ndodhet, do të përdoret për të cenuar e sulmuar shtetësinë e saj.

Rashidi ka folur edhe për rolin e Tiranës zyrtare dhe të kryeministrit Edi Rama në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Naim Rashiti, Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan

 “Tirana nuk ka luajtur asnjëherë rol negativ në çështjen e dialogut. Me përjashtim të mini-shengenit ku është ngutur të futet në proces pa u siguruar se të gjithë aktorët rajonal janë të përfshirë, Tirana ka bërë trysninë dhe rolin e avokatit, por përgjegjësia për të bërë marrëveshje më Serbinë bie mbi Kosovën. Më shumë është ngatërrim më agjendat vendore.

Në nëntor të vitit 2018 kryeministrat Rama e Haradinaj vendosën duart mbi flamurin kuq e zi, ndërsa një vit më vonë fyenin e ngritin padi kund njëri-tjetrit. Kjo më së miri shpërfaq fytyrën e elitave shqiptare”.

Rashiti vlerëson se në Kosovë elitat politike nuk janë të përgatitura për ndonjë kompromis që do të kërkohet për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Ata i kundërshtojnë zgjidhjet e caktuara vetëm për të sulmuar njëri-tjetrin. Nuk duan ndarje, shkëmbim të territoreve, nuk duan të japin status special, asociacion më kompetenca ekzekutive apo autonomi për serbët dhe shumë prej tyre nuk e shohin të rëndësishme njohjen nga Serbia.

Emine Ismaili /SHENJA/