(VIDEO) Radev: Nëse Petkov do të ishte i vëmendshëm do të fitonim më shumë!

(VIDEO) Radev: Nëse Petkov do të ishte i vëmendshëm do të fitonim më shumë!

 

Presidenti bullgar Rumen Radev thotë se propozimi francez përfshinë shumë nga kërkesat më të rëndësishme të Bullgarisë në kontestin me Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, sipas tij, ky propozim mund të ishte edhe më i mirë për palën bullgare, duke akuzuar kryeministrin në detyrë Kiril Petkov për mënyrën e udhëheqjes së bisedimeve me presidencën franceze dhe Maqedoninë e Veriut.

RUMEN RADEV, PRESIDENT I BULLGARISË
“Propozimi francez përmban shumë nga kërkesat bazë të Bullgarisë, por mund të ishte edhe më i suksesshëm në përgjithësi, përfshi edhe protokollin bullgaro-maqedonas, nëse politikanët tanë do t’i kushtonin shumë më shumë vëmendje këtij procesi, nëse diplomatët tanë në Ministrinë e Jashtme nuk mbështeteshin vetëm te institucioni President dhe nuk humbisnin kohë dhe energji në tentimin që politikën divergjente të kryeministrit ta sillnin në një kornizë të pranueshme”.

Ndërkohë pas miratimit të rezolutës së djeshme në parlamentin bullgar, me të cilën pranohet propozimi francez dhe hiqet vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut nën kushtet e këtij propozimi, Ministria e Jashtme bullgare thotë se tani hapja e negociatave varet nga Shkupi.

MPJ E BULLGARISË
“Është koha që faktorët përgjegjës në Maqedoninë e Veriut me vepra dhe jo me fjalë ta tregojnë përkushtimin e tyre për ardhmërinë evropiane të rajonit. Shpejtësia me të cilën Maqedonia e Veriut do të udhëtojë drejt anëtarësimit varet nga ajo dhe nuk do të prolongohet nëse vendi i zbaton përgjegjësitë e marrë lidhur me vlerat evropiane dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”.

Por për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dy çështje në propozimin francez janë të papranueshme. E para është futja e protokollit nga komisioni historik në kornizën negociuese, dhe e dyta ka të bëjë me kohën e ndryshimit të Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Bullgaria kërkon të ndryshohet Kushtetuta para se të hapen bisedimet, ndërsa Shkupi kërkon të hapen bisedimet me BE-në dhe pastaj të ndryshohet Kushtetuta. /SHENJA/