(VIDEO) Qytetarët pastrojnë vullnetarisht Liqenin e Likovës

(VIDEO) Qytetarët pastrojnë vullnetarisht Liqenin e Likovës

Penda e Likovës, si vend rekreativ me natyrë mbreslënëse, është shumë e frekuentuar sidomos nga banorët e asaj ane. Sa fillon të jetë më ngrohtë, shumë qytetarë shkojnë aty për piknik, peshkim ose qoftë vetëm për vizitë të shkurtë. Mirëpo, si vend që vizitohet shumë, qytetarë të pandërgjegjshëm, mbeturinat nuk i hudhin në vendin e duhur, por i gjuajnë në pendë, ose vetëm i lënë në vendet ku kanë qenë të ulur. Një grup i qytetarëve ka  reaguar ndaj kësaj dukurie, duke dërguar apel që të ketë më shumë qytetarë që mbledhin se sa që hudhin mbeturina.

ALIRIZA OSMANI, MJEK

“Nuk dua të personifikoj, kush e bënë këtë, a është i ri apo i moshuar, por duhet të fillojmë që të paktën mos të hudhim se është e pamundur komuna si komunë jo vetëm tek ne komuna e Likovës, apo e Kumanovës, ose cilado komunë tjetër që të mund të pastrojnë aq sa hudhin njerzit. Fatkeqësisht, hudhin shumë…Pikësëpari kisha apeluar që të gjithë ata familjarë, se unë mësoj fëmijën tim që të mos hudh mbeturina, njëkohësisht edhe të gjithë familjarët e tjerë duhet ta bëjnë të njejtën që mos të gjuajnë fëmijët e tyre”.

Fenomeni i mbeturinave po stimulohet edhe nga fakti se këtu mblidhen edhe peshkatarët, thotë qytetari Midush Ebibi. Ai bënë apel për ruajtjen e pastërtisë së mjedisit.

MIDUSH EBIBI, QYTETAR NGA FSHATI RRAMALI

“Këtë natyrë, këtë pasuri të rajonit tonë duhet ta mbrojmë vetë, popullata duhet ta mbroj. Një apel deri te peshkatarët tonë, kolegët e mi sepse edhe unë jam peshkatar, mos ta hudhin bërllogun nëpër barë, si po e shihni, mos ta ndotin, mjedisin e rajonit tonë se kjo është pasuri”.

Qytetarët vullnetarë të revoltuar nga pamja e keqe në pendën e Likovës dhe të Gllazhnjës, mblodhën mbeturinat dhe pastruan skajet e pendës, me shpresën që e njejta të mos përsëritet më dhe mesazhi i tyre të mos shkoj në vesh të shurdhër. Emine Ismaili /SHENJA/