` . (VIDEO) Qeveria nuk e ka në plan të ndërtojë kampe për refugjatët - TV SHENJA

(VIDEO) Qeveria nuk e ka në plan të ndërtojë kampe për refugjatët

Qeveria nuk planifikon të ndërtojë kampe të reja për strehimin e migrantëve në lindje të vendit, ndërsa mjaftojnë dy qendrat tranzite në jug dhe në veri të vendit, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, pas mbajtjes së forumit të ministrave për punë të brendshme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që dje dhe sot zhvilloi punimet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ndër temat qendrore të këtij forumi kanë qenë politikat e migracionit, sigurisë së kufive dhe bashkëpunimit në këtë plan. Komisari i BE-së për punë të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopulos, tha se çështja e menaxhimit të ndonjë vale të mundshme të migrantëve i takon Qeverisë, ndërsa BE është e gatshme ta mbështes vendin financiarisht. Por, ai shtoi se një ndihmë e tillë ende nuk është kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Dimitris Avramopulos
“Parasegjithash kjo është përgjegjësi e Maqedonisë së Veriut. Nëse Qeveria ka nevojë për ndihmën tonë financiare do të sigurohet, këtu jemi të ndihmojmë me ekspertët tanë për të ju siguruar Qeverisë dhe autoriteteve mbështetje adekuate. Megjithatë deri më tani nuk është dorëzuar një kërkesë e tillë por nëse ndodh ne jemi këtu që të sigurojmë ndihmë”.

Një nga çështjet kyçe që janë diskutuar në forumin e sotëm mes ministrave të punëve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ka qenë edhe lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe në këtë kontekst është biseduar edhe për personat e kthyer nga luftërat e huaja në Siri, Irak dhe Afganistan.

Oliver Spasovski
“Në vend tanimë zhvillohen procedura penale, ndërsa persona të caktuar tanimë janë në burg. Për këta persona ekzistojnë fakte se kanë marë pjesë në zona të luftës në Siri, Irak dhe Afganistan dhe ende ndodhen atje. Ata gjithsesi se do të përgjigjen penalisht, ndërsa për personat që janë pjesë e familjeve të luftëtarëve të huaj dhe ende janë në kampet e Sirisë nevojitet riatdhesim në shtet. Me këtë rast nevojitet edhe risocializim i tyre. Këtë po e bëjmë me Komitetin nacional për lutë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit nacional”.

Përveç këtyre temave në forumin ministror BE-Ballkani Perëndimor është diskutuar edhe për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe luftën kudër tregtisë me njerëz.

Arben Zeqiri /SHENJA/