(VIDEO) Propozimi francez nesër në Kuvend, Spasovski nuk pret të përsëritet 27 prilli

(VIDEO) Propozimi francez nesër në Kuvend, Spasovski nuk pret të përsëritet 27 prilli

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski bën apel për mbarëvajtjen e qetë të protestave kundër propozimit francez. Ai tha se policia po ndërmerr të gjitha masat për të siguruar Kuvendin, qetësinë dhe sigurinë gjatë seancës së nesërme ku do të diskutohet propozimi francez, me qëllim që të mos përsëritet asnjë skenar i ngjashëm me 27 Prillin. Spasovski tha se po mbledhin informacione lidhur me planet e disa grupacioneve brenda protestave dhe në bazë të kësaj po hartohet plani për mbarëvajtjen e protestës.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I BRENDSHËM
“Kemi informacione, të dhëna se çfarë përgatisin grupacione të caktuara në kuadër të protestës, të cilat ne i përcjellim. Por të gjitha ato të dhëna dhe informacione analizohen dhe në bazë të kësaj përgatitet i gjithë plani që duhet të garantojë siguri dhe qetësi për qytetarët”.

Spasovski tha se në momentet kur përcaktohet ardhmëria e shtetit, zakonisht ka sulme hibride në formën e lajmeve të rrejshme dhe propagandës, me qëllim që të ndikohet në formimin e opinionit publik. Ai nuk deshi të precizojë se nga vijnë këto sulme hibride.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I BRENDSHËM
“Ka shumë sulme hibride ndaj Maqedonisë së Veriut dhe sidomos në momente kur vendoset për ardhmërinë e shtetit. Një prej mekanizmave të këtyre sulmeve hibride janë lajmet e rrejshme dhe propaganda, krijimi i opinionit publik. Ne duhet të vendosim vetë dhe të pavarur për fatin dhe ardhmërinë tonë. Kështu që kushdo që të jenë, përfaqësues të Rusisë ose të tjerë, duhet ta shohin punën e tyre”.

Në protestat e deritanishme të opozitës kundër propozimit francez janë lënduar 54 policë, prej të cilëve 11 janë me lëndime më të rënda. Dy prej policëve me lëndime më të rënda kanë lëndime serioze dhe janë detyruar të shtrohen në spital. /SHENJA/