(VIDEO) Prokuroria: Gruevski nuk ka ikur përmes pikave kufitare

Nikolla Gruevski nuk është arratisur nga Maqedonia nëpërmjet vendkalimeve zyrtare kufitare. Ky është një segment nga hetimet e Prokurorisë Themelore. Në një intervistë për Agjencinë Mia, kryeprokurori Lubomir Joveski ka thënë se prokuroria ka kontrolluar inçizimet e kamerave të sigurisë dhe ka marrë në pyetje policinë kufitare, dhe është konstatuar se në asnjë prej vendkalimeve kufitare të Maqedonisë,  nuk ka shkelur këmba e Nikolla Gruevskit, raporton SHENJA.

Lubomir Joveski, kryeprokuror

“Prokuroria ka ndërmarrë më shumë aktivitete për të siguruar prova, siç edhe ju kemi njoftuar më parë. Kemi kërkuar prova nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare juridike nga organet kompetente të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Janë siguruar inçizimet nga kamerat e sigurisë nëpër rrugë, pika pagesore, vendkalime kufitare si dhe rreth shtëpisë së ish kryeministrit”

Gruevski nuk ka kaluar as nga Qafë Thana, as nga Shën Naumi, që janë pika kufitare me Shqipërinë, të vendosura në afërsi të Ohrit dhe Strugës. Nuk është regjistruar të ketë kaluar as nga Stenja, që është pika kufitare me Shqipërinë në Manastir, por as në pikën kufitare Bllatë në Dibër. Supozohet se Gruevski ka arritur në territorin e Shqipërisë nëpërmjet vendkalimeve ilegale kufitare, që shpesh, edhe banorët vendorë, i shfrytëzojnë për të dalë në qytetet fqinje, nga të cilat i ndanë vetëm kufiri. Kështu që Prokuroria ka ardhur në përfundim se nuk ka asnjë lëshim tek zyrtarët polivorë të këtyre pikave kufitare.

Lubomir Joveski, kryeprokuror

“Prokuroria nuk po heton se a ka lëshime të institucioneve të caktuara, por se ka vepra penale të personave të caktuar që kanë mundësuar arratisjen e tij. Institucionet kompetente, në kuadër të organizimit të tyre të brendshëm, duhet të konstatojnë se nëse dhe çfarë përgjegjësie dhe kompetenca  kanë patur”

Nga inçizimet e kamerave të sigurisë në kufijtë e Shqipërisë dhe Malit të Zi, Prokuroria për krim të organizuar ka parë vetëm se si makina diplomatike e Hungarisë, ka kaluar prej Shqipërisë në Malin e Zi, e pastaj në Serbi, prej ku pastaj ka arritur në destinacionin e tij të fundit që ishte Hungaria dhe siguroi azil politik për vetëm disa ditë.

Ende nuk është e qartë se si Gruevski ka arritur që të hyjë në Hungari vetëm me letërnjoftim ,edhe pse Maqedonia nuk ka një marrëveshje për lëvizje të qytetarëve me letërnjoftim me këtë shtet.

Mbeti pezull kërkesa për ekstradimin e tij, dhe zotimi i autoriteteve të Maqedonisë për ta kthyer Gruevskin në vendlindje, edhe pse kryeministrit Hungarez Viktor Orban me një gjuhë diplomatike e bëri me dije se ai asnjëherë nuk do tia dorëzojë Gruevskin Maqedonisë. Orban përveç që pati thurrur lavde për ish kryeministrin e Maqedonisë, që e konsideronte si një mik të madh të shtetit të tij, ai thoshte se ai tashmë është nën mbrojtje të Hungarisë pasi ka marrë statusin e azilatit, dhe si i tillë, ka të drejtë të plotë për të vazhduar jetën atje.

Njohuritë e fundit që i bëri publike shefja e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion Villma Ruskovska, ishin se po shikohen video inçizimet e Gruevskit nëpër Shkup, deri ditën kur është arratisur. Ajo pati thënë se deri më tani, nuk ka vërejtur ndonjë lëshim të qëllimshëm të institucioneve vendore.

Pas arratisjes së tij më 9 ose dhjetë nëntor, pasi nuk dihet saktë ende, Gruevski më 13 nëntor shkroi një status në Fejsbuk. Konfirmoi informacionet jozyrtare se ai gjendet në Hungari dhe njoftoi se ka bërë kërkesë për azil. Një javë më pas, ishte postimi i fundit i Gruevski në Fejsbuk me të cilin ai njoftoi se ia kanë miratuar kërkesën për  azil politik në Hungari.

Gruevski deri më tani  është parë në një fotografi dhe një video, të filmuar nga gazetarë të huaj dhe hungarezë. Thuhet se është i vendosur në një prej hoteleve më luksoze të Budapestit dhe shkon vetëm në restoranet më të shtrenjta, pasi është vërejtur vetëm në kësi vende. Edhe në Budapest, Gruevski ka një shofer personal, sikurse kur ishte në Maqedoni.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=RPxdZxg9ZYo