(VIDEO) Prokurori i krimeve, Islam Abazi: Do të jem transparent

(VIDEO) Prokurori i krimeve, Islam Abazi: Do të jem transparent

Prokurori i sapoemëruar në Prokurorinë e Ndjekjes së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi deklaroi se është sfiduar të punojë si kryetar i prokurorëve që ndjekin krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ai tha se votat e kolegëve janë një motiv për të që të menaxhojë profesionalisht. Gjithashtu  Abazi premton transparencë me publikun.

ISLAM ABAZI, KRYETAR I PROKURORISË PËR NDJEKJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT

“Sa i përket transparencës dhe publikut, sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, ne jemi të obliguar që të jemi transparent dhe të informojmë mjetet e informimit të publikut për punën e disa lëndëve që ofrojnë interes më të madh për publikun. Duhet të kemi parasysh që të ruajmë reputacionin dhe dinjitetin e të akuzuarit, të dëmtuarit dhe të gjithë pjesëmarrësve në atë procedurë me prezumimin e pafajësisë dhe fshehtësinë e procedurës, varësisht se në çfarë faze është rasti”.

Ai në konferencën për media tregoi shkurtimisht gjëra për biografinë e tij. Ai tha se ka punuar në grupe të ndryshme punuese për miratimin e ligjeve.

ISLAM ABAZI, KRYETAR I PROKURORISË PËR NDJEKJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT

Kjo është një sfidë për mua, duke pasur parasysh përvojën time të mëparshme në drejtimin e kësaj prokurorie. Kam marrë pjesë në grupe të ndryshme pune për miratimin e ligjeve, akteve nënligjore, jam pjesmarrës në grupin punues në Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë dhe me eksperiencën dhe punën time të mëparshme besoj se do ta përfaqësoj këtë prokurori në mënyrë profesionale dhe ligjore, së bashku me kolegët e mi prokurorë”.

Në pyetjen e gazetarëve nëse ka marrëdhënie të ngushta me BDI-në dhe kontakte me Ali Ahmetin, kreu i ri i prokurorisë tha se “As nuk është dhe as nuk ka qenë ndonjëherë anëtar i ndonjë partie politike”. “As në punën time të deritanishme nuk kam lënë përshtypjen e afërsisë me ndonjë parti politike.

Fillimisht do të njihem me situatën dhe punët në atë prokurori dhe është e rëndësishme plotësimi i vendeve të lira të prokurorëve, plotësimi i pozitave në qendrën hetimore dhe dixhitalizimi i prokurorisë publike”, shtoi Abazi.

Medina Ajeti /SHENJA/