` . (VIDEO) Presidenti Pendarovski pret që Kuvendi dhe Qeveria e re të formohen së shpejti - TV SHENJA

(VIDEO) Presidenti Pendarovski pret që Kuvendi dhe Qeveria e re të formohen së shpejti

Presidenti Stevo Pendarovski pret që sa më shpejtë të jetë e mundur, të konstituohet Kuvendi i ri dhe qeveria e re. Ai gjatë fjalimit të tij për festën e Ilindenit, ka theksuar se qeveria e ardhshme do të ketë shumë çështje të vështira në 100 ditët e para, duke nënvizuar se trendet aktuale me virusin nuk do të lejojnë kthim të tërësishëm të ekonomisë. Pendarovski ka nënvizuar më tej se shumë më herët para se të fillojnë negociatat me BE-në do të duhet zbatim praktik i reformave urgjente juridike dhe të intensifikohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Stevo Pendarovski President
“Qeveria e ardhshme nuk do ta ketë komoditetin të mos i parashtrohen çështje të vështira në njëqind ditët e para. Trendet aktuale me virusin nuk do të lejojnë kthim të tërësishëm të ekonomisë në funksionim, ndërsa problemet ekonomike sjellin gjithmonë paqëndrueshmëri dhe pakënaqësi qytetare. Shumë më herët para se t’i fillojmë negociatat me BE-në, do të duhet të fillojmë me patjetër me zbatimin praktik të reformave juridike urgjente dhe ta intensifikojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Në fund, qeveria e re do të ketë edhe një detyrë tjetër të komplikuar, sidomos pas një fushate zgjedhore të tillë ku janë shqiptuar akuza të rënda dhe diskualifikime personale të cilat i thelluan edhe më shumë ndarjet midis qytetarëve”.

Pendarovski theksoi më tej se administrata jofunksionale, korrupsioni i lartë dhe gjyqësori joefikas, mbeten pengesa kryesore për integrim të shpejtë në BE dhe pengesa që të bëhet një jetë normale në një shtet të denjë.

Stevo Pendarovski President

Të gjithë e kemi të qartë se përveç standardit jetësor, problemi ynë kryesor është se nuk jemi të gjithë të barabartë para ligjit. Administrata jofunksionale, korrupsioni i lartë dhe gjyqësori joefikas jo vetëm që janë pengesë për integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian, por, shumë më e rëndësishme, ato janë pengesa kryesore që të bëjmë një jetë normale në një shtet të rregulluar, të denjë. Qytetarët tanë, me të drejtë, janë të dëshpëruar kur shohin se prokuroria që ishte simbol i të gjitha shpresave tona për pastrimin e krimit të organizuar, u shkatërrua si pasojë e asaj se edhe vetë u bë pjesë e krimit të organizuar”.

Pendarovski tha se çdo keqpërdorim i funksionit, çdo denar i keqpërdorur nga financat publike, çdo tender i rregulluar, çdo zvarritje në procedurat gjyqësore me vite dhe çdo keqtrajtim i qytetarëve në procedurat administrative janë shkak më shumë për largim nga shteti i shumë të rinjve, për mbylljen apo transferimin e bizneseve në shtete të tjera dhe për zmadhimin enorm të zhgënjimeve dhe siç tha ai, radikalizmit të qytetarëve.

Ajnur Bafqari /SHENJA/