(VIDEO) Pranohet akuza e PSP-së, për rastin “Talir”

Gjykata Penale e ka pranuar në tërësi aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin “Talir”, lidhur me financimin e paligjshëm të VMRO DPMNE-së. Kështu, Nikolla Gruevski, i cili ka marrë azil politik në Hungari, Kiril Bozhinovski, Mile Janakievski, Ilija Dimovski, Lleko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska do të gjykohen për pastrim disa milionësh të parave nëpërmjet partisë.

Gjykata Penale

“Pas seancës publike lidhur me akuzën në lëndën e Prokurorisë Speciale të emëruar si ‘Talir’,  për financim joligjor të personit juridik – partisë politike, Këshilli për vlerësim të aktakuzës solli vendim me të cilin akuzën e dorëzuar e miratoi në tërësi. Lënda pastaj do të vendoset në sistemin AKMIS, për tiu ndarë ndonjë gjykatësi që do ta trajtojë në procedurën e mëtutjeshme”

Ish kryeministri dhe kryetari i VMRO-së Nikolla Gruevski është i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakievski për pastrim parash. Edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare por edhe për pastrim parash akuzohet deputeti Ilija Dimovski. Akuzë për pastrim parash ka edhe ndaj Leko Ristoskit dhe Elizabeta Çingarovskas e cila e pranoi veprën gjatë vitit të ardhshëm dhe u lirua me kusht. Për pastrim parash akuzohet edhe subjekti juridik VMRO DPMNE.

Sipas akuzës, Nikolla Gruevski prej vitit 2009 deri në vitin 2015, ka marrë para për partinë nga burime të ndryshme të dyshimta dhe anonime. Në realizimin e transaksioneve i kanë ndihmuar Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakievski. Sipas hetimeve të PSP-së, kjo parti ka bërë presion ndaj një numri të madh firmash që kanë fituar tenderë shtetërore, që të japin para të thata në dorë VMRO-në. Por para kanë marrë edhe nga Organe të Vetëqeverisjes Lokale dhe Ndërmarrje Publike. Është llogaritur se mbi 4 milion euro që kanë tepruar nga fushatat, Nikolla Gruevski nuk i ka kthyer në buxhetin e shtetit, ashtu siç dikton ligji, por se kanë filluar ti fusin në llogarinë e partisë, si gjoja donacion nga secili anëtar. Kështu paratë ilegale janë legalizuar.

Gjykata tek po shqyrton edhe akuzën për ndërtimin e paligjshëm të selisë së kësaj partie opozitare në Shkup, e cila tashmë është ngrirë me urdhë gjyqësor, së bashku edhe me 68 prona të tjera të VMRO-DPMNE-së.

PSP ka zbuluar keqpërdorimin me firmën BETON, e cila mbi 70 përqind të të ardhurave i ka patur nga tenderë shtetërore. Si e tillë, kjo firmë nuk ka patur të drejtë të zhvillojë punime për një parti politike, por, përkundër ndalesave ligjore, BETON e ka ndërtuar selinë e VMRO-së në vlerë mbi 6 milion euro.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=Bg3HJOJqm2E