` . (VIDEO) Policia premton se do të dënohen "komitët" e Gjorçe Petrovit - TV SHENJA

(VIDEO) Policia premton se do të dënohen “komitët” e Gjorçe Petrovit

“Shqiptar i mirë, shqiptarë i vdekur”. Jehonte kështu brohoritja e disa të rinjve, pjesëtarë të grupit të “Komitëve” të cilët shkonin për të përkrahur ekipin e tyre Vardarin në ndeshjen kundër Makedonija Gjorçe Petrovit. E këto brohoritje antishqiptare në lagjen Gjorçe Petrov ata i bënë në sytë e disa dasmorëve shqiptar e të cilët me të dëgjuar këto thirrje u ndaluan për t’u përballur me grupin e “Komitëve”. Me të ndaluar dhe nisur drejt turmës, tifozët ndaluan brohoritjet dhe u larguan nga vendi i ngjarjes. Policia ka bërë të ditur se menjëherë ka nisur hetimet për t’i identifikuar personat dhe se deri tani janë identifikuar 16 të rinj.

“MPB është intensivisht duke punuar në bashkëpunim me Prokurorinë për të zbardhur këto raste, bëhet fjalë për dy raste, pas çka do të parashtrohen padi penale. Po identifikohen pjesëmarrësit, po thirren në bisedë…konkretisht për rastin e djeshëm janë ndaluar, respektivisht janë thirrur, janë identifikuar 16 persona. MPB do të ketë zero tolerancë për raste të këtilla”, njoftoi MPB-ja. 

Lidhur me incidentin kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, të cilët kanë thënë se “Komitët” janë shembulli më i keq i tifo grupeve që edhe kur humb ose kur fiton ekipi i tyre, mllefin ose gëzimin e shprehin tek dëshira për “shqiptarin e vdekur”. Enis Murtezi /SHENJA/