(VIDEO) Petkovska: Nuk sigurohet pavarësia e plotë e mediave

(VIDEO) Petkovska: Nuk sigurohet pavarësia e plotë e mediave

Maqedonia e Veriut po dështon në krijimin e ambientit të përshtatshëm për funksionimin e mediave. Institucionet e shtetit, duke filluar nga ekzekutivi e deri te gjyqësori, me sjelljen dhe raportin e tyre ndaj mediave dëshmojnë se mediat nuk e kanë vendin që u takon në një shtet demokratik. Kështu thotë drejtorja e Institutit të Mediave në Maqedoninë e Veriut Biljana Petkovska, në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar vërejtjet në raportin e fundit të Stejt Departamentit për sferën e mediave.

BILJANA PETKOVSKA, DREJTORE E INSTITUTIT TË MEDIAVE
 “Institucionet në këtë shtet më së shumti dështojnë kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me sferën e mediave dhe në përgjithësi krijimin e një sistemi dhe ambienti për funksionimin e mediave. Nga ajo si është vendosur tregu i mediave, si implementohen ligjet, raporti i prokurorisë, policisë, gjykatave… Bëhet fjalë për një sërë çështjesh që kërkojnë trajtim nga ana e shtetit dhe tregojnë se si shteti e sheh gazetarinë dhe mediat. Ata ende nuk e kanë pozitën dhe vendin që u takon në një shoqëri demokratike”. 

Stejt Departamenti kritikoi sidomos moszbardhjen e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Qeveria në këtë drejtim kishte paralajmëruar ndryshime të Kodit Penal me të cilat sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohet si sulm ndaj një personi zyrtar, por këto ndryshime nuk janë miratuar akoma.

BILJANA PETKOVSKA, DREJTORE E INSTITUTIT TË MEDIAVE
“Sa jam e njoftuar procedura është tani në Kuvend dhe aty kushtimisht thënë ka ngecur procesi, ndërsa për arsyet pse ka ngecur ka vërtetë pak informacione. Shpresoj që do të ketë përgjigje nga institucionet dhe transparencë për gjithë procesin tani që Ligji është në Kuvend, sepse kështu po krijohet përshtypje se zgjidhje të caktuara pozitive po paralajmërohen me pompozitet ndërsa në fund asessi të realizohen”.

Petkovska tha se gjendja ekonomike e mediave në Maqedoninë e Veriut aktualisht është shumë e rëndë, por lejimi i reklamimit të Qeverisë në media nuk është zgjidhja e duhur, sepse krijon media të varura dhe servile. Ulja e shpenzimeve që mediat kanë ndaj shtetit, si tatime, licenca dhe të tjera, si dhe krijimi i një Fondi për Media, sipas Petkovkës do të ishin zgjidhje më të mira për përmirësimin e kushteve për punë. /SHENJA/