(VIDEO) Petkov: Do të shkoj në Bruksel me vendimin e kuvendit

(VIDEO) Petkov: Do të shkoj në Bruksel me vendimin e kuvendit

Situatë e komplikuar në shtetin bullgar, pas propozimit francez dhe shkarkimit të kryeparlamentarit.

Presidenti bullgar, Rumen Radev kushtëzon heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut me hapjen e Kushtetutës së RMV-së. Kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, thekson Radev, duhet të bëhet para fillimit të negociatave.

Rumen Radev, president i Bullgarisë

“Propozimi i presidencës franceze është një hap në drejtimin e duhur, por shumë çështje mbeten për t’u sqaruar para se të hiqet vetoja. Kabineti nuk arriti të përgatiste një propozim bullgar dhe tani e dorëzon atë në frëngjisht, duke fajësuar Kuvendin Kombëtar pa thënë qëndrimin e tij. Kryeministri nuk mund të paraqesë një propozim të huaj pa mendimin e tij. Ai nuk është korrier, por kryeministër”.

Ndërkaq, kryeministri i Bullgarisë Kirill Petkov, ka thënë se nuk do të sjell vendim kokë më vete për Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht se do ta ndjek vullnetin e Kuvendit bullgar.

Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë

“Sa herë që tentojnë të trondisin vendin, ngrenë hartën e Maqedonisë së Veriut, kjo na ndodh gjithmonë. Që ky koalicion të mbetet i paqëndrueshëm, flitej vazhdimisht për RMV-në dhe tradhtinë e ardhshme të Bullgarisë, 20 herë e kam përsëritur se nuk do të ketë vendim për këtë çështje pa Parlamentin bullgar, sikur të mos kisha thënë”.

Këtë situatë e komentoi edhe ish kryeministri bullgar Bojko Borisov, i cili vazhdimisht ka qenë shumë i zëshëm për çështjen Shkup-Sofje.

Bojko Borisov, ish kryeministër

“Nga gjithçka që ndodhi dje, mund të komentoj magjitë e partive politike. Pa këtë, pa atë – kjo dikur na çoi tre herë në një cikël zgjedhjesh. Do të na bëjë të pariparueshëm në të ardhmen”.

Përndryshe pas shkarkimit të kryeparlamentarit, si dhe akuzave të ndërsjella të deputetëve të pushtetit dhe opozitës për  temën e vetos së Maqedonisë, për dy ditë me radhë kishte tensione në Kuvendin e Bullgarisë. Mirëpo, përgjigja e kësaj do të jepet javën që vjen, kur pritet votëbesimi ndaj Qeverisë së Kiril Petkovit. Sipas asaj që kanë raportuar mediat, gjithsej 115 deputetë qëndrojnë prapa Qeverisë, ndërsa opozita ka 125 deputetë, që pritet të votojnë për rrëzimin e kabinetit. Por, shifrat ndryshojnë vazhdimisht, pasi një deputet tjetër nga partia e Sllavi Trifonov së fundmi ju  bashkua  grupit të Petkovit.

Emine Ismaili /SHENJA/