(VIDEO) Pesë personat e fundit u amnistuan, numri arrin në 25

Gjykata Penale ka amnistuar edhe pesë persona të tjerë, të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit. Sipas njoftimit të Gjykatës Penale, këto pesë persona janë të fundit të cilët kanë fituar amnisti, pasi të gjithë kërkesat e tjera janë refuzuar si të pabaza. Gjykata tha se tashmë këto vendime i ka lëshuar deri tek palët që kanë bërë kërkesë, në kuadër të afatit ligjor për vendim. Kështu, gjithësej të amnistuar deri më tani janë 25 persona. Gjatë javës së ardhshme, radhën do ta ketë Gjykata e Apelit e cila do të duhet të vendosë mbi ankesat e atyre të cilëve në shkallën e parë, iu refuzua kërkesa për amnisti.

Deri tani janë amnistuar organizatorët e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, Bogdan Ilievski, Vllado Jovanovski dhe Boris Damovski.  U amnistuan pesë deputetët e VMRO-së Kërsto Mukoski, Sasho Vasilevski, Ljupço Dimovski, Johan Tarçullovski dhe Ljuben Arnaudov.  Por u amnistuan edhe të punësuarit në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit, Elena Bozhinovska dhe Ivan Cvetanovski. U amnistuan edhe Zaharije Simovski, vllezërit Stefan dhe Mihaill Mlladenovski, Mitre Pitropovski dhe Ilija Sllavevski.

Teksa shumicën e vëmendjes gjatë ditëve të sotme e ka marrë amnistia e 25 personave, dhe premtimet e vjetra të kryeministrit që asnjëherë nuk mund të ketë amnisti për këta njerëz që i  përgjakën, kryeprokurorin Lubomir Joveski e bren fakti që paraardhësi i tij Marko Zvërlevski, nuk ka urdhëruar ekspertizë të menjëhershme në Parlament. Joveski gjatë intervistës në Agjencinë MIA, thotë se po të bëhej ekspertiza e menjëhershme, do ishin siguruar shumë më shumë prova dhe gjurmë, që mund tu jepnin hetimeve një kahje tjetër ose të akuzuar shtesë. Megjithatë, Joveski pohon se kanë prova që dëshmojnë se kush kanë qenë organizatorët e ngjarjeve.

Lubomir Joveski, kryeprokuror

“Prej momentit të ngritjes së akuzës, kam theksuar se kjo lëndë nuk është mbyllur tërësisht dhe se po bëjmë aktivitete të ndryshme për qartësimin e të gjithë ngjarjes. Në këtë moment, prokuroria ka siguruar prova për të zgjeruar hetimin deri tek organizatorët e 27 prillit. Së shpejti, prokuroria do të nisë hetimin për ta. Ajo që na shkaktoi probleme është veprimi joprofesional i prokurorisë menjëherë pas ndodhive, pasi asnjë prokuror nuk ka shkuar të bëjë menjëherë ekspertizën, edhe pse në atë moment mundësia për të gjetur prova dhe gjurmë ishte shumë më e madhe. Gjatë udhëheqjes së prokurorit të kaluar, nuk është ndërmarrë tekstualisht asgjë”

Joveski thotë se së shpejti do të ketë epilog për përgjegjësinë e ish shefes së Prokurorisë së Shkupit Gordana Geshkovska, zëvendësit të saj të atëhershëm, Jovan Cvetanovski, dhe ish shefin e Prokurorisë për krim të organizuar Zllatko Bikovski, pasi nuk kanë vepruar siç duhet për të trajtuar ngjarjet e 27 prillit. Sipas kryeprokurorit, në vend se për këtë ngjarje të kishte një hetim të përbashkët, në çdo aspekt, këta prokurorë kishin ndarë disa raste dhe kishin ngritur disa akuza të veçanta, me qëllim që ta zbusin efektin e ndodhive.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=9o6ob9cODWU