(VIDEO) Përplasja Muarremi-Ruskovska, kërkohet ndihmë nga ndërkombëtarët

(VIDEO) Përplasja Muarremi-Ruskovska, kërkohet ndihmë nga ndërkombëtarët

Prokurorja Vilma Ruskoska ka kërkuar ndihmë nga ambasadat e SHBA-së dhe BE-së si dhe institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, pas përplasjeve publike me drejtorin e Policisë Financiare Arafat Muaremi. Në letrën e saj, Ruskoska thotë se ndaj prokurorisë ka presion kërcënues nga drejtori i policisë financiare, i cili është përfaqësues i Qeverisë. Bën thirrje që prokurorja evropiane Laura Kaveshi t’u hedh sy lëndëve të saj ndaj përfaqësuesve të Qeverisë, sidomos ato ndaj Dragi Rashkovskit, Muhamed Zekirit dhe Arafat Muaremit.

VILMA RUSKOSKA, PROKURORE

“U bëj thirrje të gjithë institucioneve në shtet, por edhe institucioneve ndërkombëtare, para se gjithash ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së, njëherë e përgjithmonë të kontrollojnë të gjitha faktet dhe të pastrohet dilema – kush në këtë shtet lufton kundër krimit dhe kush e bën krimin. Po ashtu e lus prokuroren evropiane Laura Koveshi, nëse ka mundësi, të vjen në Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar, dhe t’i verifikojë lëndët, me theks të veçantë ato për Rashkovskin, Zekirin dhe këtë të fundit për Muaremin”.

Por drejtori i policisë financiare Arafat Muaremi thotë se hetimi ndaj tij është i paligjshëm dhe u bëri thirrje ambsadave dhe institucioneve që ta konfirmojnë këtë.

ARAFAT MUAREMI, DREJTOR I POLICISË FINANCIARE

“I bashkohem edhe unë thirrjes suaj deri te ambasadat dhe të gjitha palët që thirreni për ‘ndihmë’ – le ta konfirmojnë edhe ata atë që prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut e konstatoi me mbikëqyrje në punën e juaj të paligjshme dhe veprimit joetik. Përgjegjësi për arbitraritetin e juaj doemos të ketë”.

Ndaj letrës së Ruskoskës ka reaguar edhe shoqata e prokurorëve publik. Ata thonë se Ruskoska po e cenon imazhin e prokurorëve me letrën e tillë dhe po bën reagim të tepruar lidhur me çështjen Muaremi.

SHOQATA E PROKURORËVE PUBLIK

“Si shoqatë profesionale, me habi e përcollëm shkrimin për të cilin mendojmë se e cenon imazhin e funksionit të prokurorit dhe e shkel rëndë Kodin Etik të Prokurorëve Publik. Si prokurorë publik nuk shohim asnjë arsye për thirrje të tillë dramatike në mesnatë deri te institucionet ndërkombëtare dhe diplomatët, sidomos duke marrë parasysh se as prokurorja Ruskoska, as prokurorët tjerë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit në asnjë moment nuk janë penguar që të kryejnë hetime që janë nën kompetencën e tyre”.

Prokurorja Ruskoska ka hapur lëndë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj drejtorit të policisë financiare Arafat Muaremi. Ajo thotë se prej kohësh po përballet me presione nga burime të ndryshme që tentojnë të mbrojnë Muaremin. Ruskoska madje tha se të gjitha indiciet për keqpërdorimet e drejtorit të policisë financiare do t’i bëjë publike së shpejti. /SHENJA/