(VIDEO) Përmbytet Tetova, uji mbulon rrugët dhe vështirëson lëvizjet

(VIDEO) Përmbytet Tetova, uji mbulon rrugët dhe vështirëson lëvizjet

Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar vërshime dhe kaos në Tetovë. Janë vërshuar shumë shtëpi, një pjesë e rrugëve janë të pakalueshme në këmbë ose me veturë, ndërsa si pasojë e stuhisë ka pasur ndërprerje edhe të energjisë elektrike. Madje në rajonin e Pollogut ka pasur edhe breshër me madhësi të theksuar.

Edhe në Shkup dhe rrethinë gjatë ditës u paraqitën reshje intensive të shiut dhe vetëtima, por dëmet ishin më të vogla se në Tetovë. Nga Instituti hidrometeorologjik thonë se gjatë ditës ishin regjistruar reshje të shiut në më shumë rajone, por nga stuhia ishin përfshirë më shumë Pollogu dhe Shkupi.

Instituti Hidrometeorologjik
“Në rajonin e Pollogut dhe Luginën e Shkupit proceset ishin më intensive, në formë të stuhisë afatshkurtë me reshje intensive të shiut, zbrazje elektrike dhe erë të fortë, ndërsa në Pollog kishte edhe breshër”.

Deri në fund të ditës së sotme, sipas Institutit, priten sërish reshje intensive dhe bubullima, sidomos në Shkup dhe Tetovë. Por nga nesër pritet të qetësohet situata.

Instituti Hidrometeorologjik
“Moti i tillë do të vazhdojë deri në fund të ditës, do të thotë sërish pritet të zhvillohet masë jostabile e reve, edhe në Tetovë edhe në Shkup ka kushte për një gjë të tillë deri në fund të ditës. Nesër veçmë pritet të qetësohet situata. Në orët e pasdites së nesërme sërish do të ketë kushte por vetëm për reshje të izoluara”.

Nga e mërkura, sipas parashikimeve, pritet mot me diell dhe temperatura të larta, ngjashëm sikur gjatë javës së kaluar. /SHENJA/