` . (VIDEO) Përfaqësuesit e LSDM-së dhe të VMRO-së do të takohen për Ligjin për Prokurorinë Publike - TV SHENJA

(VIDEO) Përfaqësuesit e LSDM-së dhe të VMRO-së do të takohen për Ligjin për Prokurorinë Publike

Përfaqësuesi i pushtetit, negociatori kryesor teknik me BE-në, Bojan Mariçiq dhe sekretari ndërkombëtar i VMRO-DPMNE-së, si përfaqësues i opozitës, Timço Mucunski sot duhet të takohen për të rinisur bisedimet për Ligjin e Prokurorisë Publike. Burime brendapartiake thanë për Televizionin Shenja se as orari dhe as vendi i takimit nuk do të bëhen publike, duke nënvizuar se lidhur me këtë çështje mediat do të informohen nga partitë politike nëpërmjet komunikatave, pasi të përfundojë takimi.

Aktualisht po shqyrtohet versioni i fundit i tekstit të Ligjit të Prokurorisë Publike, të cilën e ka dërguar Ministria e Drejtësisë, për të cilën siç kanë thënë për mediat, burime brenda partisë opozitare, nuk dallon shumë nga draft-versioni paraprak.

Nga VMRO-DPMNE mes tjerash kanë vërejtje në pjesën e rregullimit të punës së PSP-së, ata janë kundër faktit që ekipi i PSP-së të strehohet në njëfarë mënyre tek ekipi i prokurores për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskovska. Burimet partiake u kanë thënë mediave se çështjet më problematike në bisedime janë edhe artikujt në dispozitat kalimtare dhe përfundimtare, domethënë ato që Kuvendi parashikon të zgjedhë prokurorët, si dhe, sipas mendimit të tyre, kërkesa e opozitës për legalizimin e çështjeve të PSP-së të iniciuara pas 17 qershorit 2017.

Megjithatë gjatë ditës së sotme zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani u bëri thirrje partive politike që t’i tejkalojnë qëndrimet partiake dhe sa më shpejtë ta sjellin ligjin për prokurori publike . Ai tha se zgjidhje duhet të gjindet deri para shpërbërjes së Kuvendit, ndërsa nënvizoi se seanca e fundit plenare do të jetë më 3 shkurt.

Osmani u rikujtoi partive se sjellja e këtij ligji është e rëndësishme për Holandën dhe Francën, të cilat duhet të mundësojnë hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropia.

BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR

“Andaj është thirrja që të shfrytëzojmë këto ditë dhe të arrijmë një consensus, të miratojmë një ligj që të marrim nga dora të gjitha argumentet e mundshme nga cilido vend anëtarë, për ta bllokuar procesin e fillimit të bisedimeve. Unë kujtoj që partitë politike do e ndjejnë përgjegjësinë e momentit dhe do i  tejkalojnë dallimet e tyre partiake dhe politike, sa i takon këtij ligji, të takohemi diku në mes dhe ta miratojmë sa më shpejtë ligjin për prokurori publike”

Tashmë disa muaj me radhë, VMRO-DPMNE dhe LSDM janë takuar disa herë në tentim për të përpiluar ligj të ri me të cilin do të zgjidhej edhe fati i PSP-së, por këto bisedime rezultuan të pasukseshme, ndërsa u ndërprenë tërësisht në momentin kur u arrit marrëveshja për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ato vendosen sërish në tavolinën e bisedimeve, pas porosive të arritura nga Bashkimi Evropian se ky ligj duhet të miratohet nga kjo përbërje parlamentare, gjegjësisht para shpërbërjes së Kuvendit. Ajnur Bafqari /SHENJA/