(VIDEO) Përdorimi i emrit të ri pas publikimit në Gazetën Zyrtare

(VIDEO) Përdorimi i emrit të ri pas publikimit në Gazetën Zyrtare

Sot pritet që Athina me notë verbale ta njoftojë Shkupin se e ka ratifikuar Marrëveshjen e Prespës dhe protokollin për anëtarësim në NATO. Njëkohësisht do të njoftohen edhe Kombet e Bashkuara, por edhe të gjitha vendet anëtare që e kanë pranuar Maqedoninë nën emrin kushtetues, kështu që nga tani pranimi do të jetë me emrin e ri kushtetues.  Ndërkohë pas plotësimit të gjithë kushteve juridike për hyrje në fuqi të Marrëveshjes Finale dhe amendamenteve kushtetuese, Qeveria e Maqedonisë, do të publikoj në Gazetën Zyrtare, datën për hyrje në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe Ligjit kushtetues. Pas kësaj, Republika e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë adekuate do t’i informojë  Sekretariatin e OKB-së, vendet mbikëqyrëse të OKB-së, si dhe të gjithë organizatat ndërkombëtare për ndryshimet.

Të parat që do të pësojnë ndryshime pas publikimit të hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në Gazetën Zyrtare janë tabelat para institucioneve shtetërore, pikave kufitare dhe përfaqësive diplomatike-konsullore , ku do të vendoset emri i ri i shtetit “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Në godinën e Qeverisë tashmë është hequr mbishkrimi i vjetër “Qeveria e Republikës së Maqedonisë”, duke i liruar vendin mbishkrimit me emrin e ri, në pajtueshmëri me amendamentet kushtetuese që vijnë nga Marrëveshja e Prespës.

Tabelat me emrin e ri, tashmë janë gati, megjithatë pritet që 7 ditë pas nënshkrimit të Protokollit për Qasje të Maqedonisë në NATO, gjegjësisht brenda kësaj jave të fillojë procedura e vendosjes së tyre. Këto detyrime do të përshtaten edhe në bazë të dispozitave të ligjjit për përdorimin e gjuhëve.

Nga Qeveria thonë se grupi ndërsektorial tashmë po punon në planin gjithëpërfshirës aksional nacional për masat dhe aktivitetet e mëtejshme për kryerjen e këtyre detyrimeve, pasi ky grup i formuar nga sekretariati i përgjithshëm të Qeverisë do të monitorojë implementimin e këtyre ndryshimeve.

Maqedonia menjëherë dhe në pajtim me praktikat e shëndosha administrative do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme me qëllim që organet kompetente të vendit që tani e tutje në mënyrë të brendshme ta përdorin emrin Maqedonia e Veriut në të gjitha dokumentet e reja zyrtare, në korrespodencë dhe në materiale relevante. Në lidhje me rëndësinë e dokumenteve dhe materialeve tashmë ekzistuese të lëshuara nga autoritetet e Maqedonisë do të ketë dy periudha kalimtare, një “teknike” dhe një “politike”. Periudha kalimtare “teknike” do t’u referohet të gjitha dokumenteve dhe materialeve zyrtare të administratës publike për përdorimin ndërkombëtar dhe dokumenteve për përdorimin e brendshëm, por të cilat mund të përdoren edhe jashtë shtetit. Këto dokumente dhe materiale do të përtëriten në pajtim me emrin e ri, më së voni në afat prej pesë vitesh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Ndërkaq Periudha kalimtare “politike” do t’u referohet të gjitha dokumenteve dhe materialeve, të cilat janë veçanërisht për përdorim të brendshëm.

Sipas Marrëveshjes kodi i vendit në targat e regjistrimit të automjeteve do të jetë NM ose NMK. Për të gjitha qëllimet tjera, kodi i vendit mbetet MK dhe MKD, siç është e përcaktuar zyrtarisht nga Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit.

Ndryshimi i emrit kushtetues të Maqedonisë vjen pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës dhe ratifikimit të tij në kuvendet e të dyja shteteve.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=6Vn1stZO9HQ