(VIDEO) Për shtatë muaj janë parandaluar 12 803 migrantë

(VIDEO) Për shtatë muaj janë parandaluar 12 803 migrantë

Ministrat e punëve të brendshme të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së u dakorduan në Berlin për masat për ndalimin e migracionit të paligjshëm në “rrugën ballkanike”, ndër të cilat më të rëndësishmet janë harmonizimi i politikës së vizave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet e BE-së dhe shkatërrimi i kontrabandës së njerëzve,  njoftuan nga Ministria e Brendshme gjermane.  Në takim u arrit marrëveshje për mbrojtje më efektive të kufijve me mbështetjen e agjencisë evropiane Frontex dhe për procedurat për kthimin në vendet e tyre refugjatët të cilët nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në BE.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski, gjendja e sigurisë në kufijtë shtetërorë është stabile dhe pa ndryshime të dukshme në krahasim me periudhën e kaluar, sepse vëmendje e veçantë i kushtohet zbulimit të hershëm dhe parandalimit të tentimeve për kalim ilegal të kufirit shtetëror dhe parandalimi i kontrabandës së migrantëve.

Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut

“Në periudhën janar – korrik 2022 janë parandaluar gjithsej 12.803 tentativa për të kaluar ilegalisht kufirin shtetëror, që paraqet një rritje prej 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por edhe një rënie prej 27% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2020, kur u zbuluan 17.652 tentativa. Flukset e migracionit në Maqedoninë e Veriut janë ulur për 80%, por tranziti ‘Rruga e Ballkanit Perëndimor’ mbetet aktive”.

Sipas Spasovskit, nuk mjaftojnë vetëm masat nacionale për të trajtuar flukset migratore, por përforcimi i mëtejmë i qasjes së përbashkët të vendeve të prekura, bashkëpunimi me vendet e origjinës, agjencitë e BE-së dhe OKB-së dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare. Në margjinat e takimit në Berlin, Spasovski për këto tema ka biseduar edhe me komisioneren evropiane për punë të brendshme, Ilva Johanson.

Ministrat u takuan me ftesë të ministres së brendshme të Gjermanisë, Nensi Fezer, e cila tha se Evropa ka një përgjegjësi të përbashkët për të parandaluar hyrjen e paligjshme, kështu që mund të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë urgjente për mbështetje.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/