` . (VIDEO) Për një javë 40 për qind më shumë persona të shëruar nga koronavirusi - TV SHENJA

(VIDEO) Për një javë 40 për qind më shumë persona të shëruar nga koronavirusi

Instituti i Shëndetit Publik publikoi raportin javor për periudhën nga 6 deri më 12 korrik 2020, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Në bazë të këtij raporti tregohet rritje e konsiderueshme e numrit të personave të shëruar dhe ulje e numrit të vdekjeve në krahasim me javën e kaluar.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË

“Në periudhën 6-12 korrik, është regjistruar një numër rekord i personave të shëruar – 1017,  që është 404 persona ose 40% më shumë se javën e kaluar. Në tre javët e kaluara, numri i personave të shëruar është rritur me rreth 40% në baza javore. Ky është një tregues i rëndësishëm dhe pozitiv që ndikon në uljen e numrit të rasteve aktive” .

Në raport theksohet se gjatë kësaj periudhe janë kryej gjithsej 9 995 testime, por në katër javët e fundit, përqindja e rasteve pozitive në baza javore është ulur.

 MINISTRIA E SHËNDETËSISË

“Në këtë periudhë, janë kryer gjithsej 9.995 teste (1573 më shumë se periudha 29 qershor – 5 korrik) dhe janë regjistruar 1073 raste pozitive me Covid-19, që është 156 raste më shumë se javën e kaluar. Nëse krahasojmë, përqindja e rasteve pozitive nga rastet e testuara  është zvogëluar pak, 10,7 për qind pozitivë nga të testuarit për periudhën nga 6 deri në 12 korrik, kundrejt 10,9 për qind për javën paraprake. Në katër javët e fundit përqindja e rasteve pozitive nga të testuarit në nivel javor shënon ulje.

Nga rastet e reja të regjistruara në 26 qytete, me përqindjen më të lartë të të infektuarve është Shkupi (42.3%) dhe Tetova (8.9%). Në 16 qytete të vendit, për të njëjtën periudhë, numri i rasteve të konfirmuara është nën 20.

Medina Ajeti /SHENJA/