` . (VIDEO) Pendarovski: As Amerika e Gjermania nuk mund ta bindin Francën - TV-SHENJA

(VIDEO) Pendarovski: As Amerika e Gjermania nuk mund ta bindin Francën

Të mos ketë iluzione se mund të ekzistojë njeri në botë që do ta bindte presidentin francez Macron që të jap datë për fillim të bisedimeve pas 2 ose 3 javëve. Kështu u shpreh presidenti Stevo Pendarovski i cili duke folur për takimin që do ta realizojë me presidentin francez javën e ardhshme, u tha qytetarëve që të mos kenë pritje shumë të mëdha nga ky takim.  Ai shtoi më tej se madje as Amerika e as Gjermania nuk mund ta bind Francën, pasi siç theksoi ai, bëhet fjalë për një shtet që është fuqia e vetme nukleare në BE.

Stevo Pendarovski, president
“Të mos ketë iluzione se mund të ekzistojë njeri në botë, që do të shkonte dhe ta bindte presidentin francez që të na jep datë për fillim të bisedimeve pas 2 ose 3 javëve. Të jemi të qartë, ne jemi shtet i vogël, kemi argumente të fuqishme që do të thuhen në atë takim, por të mos shkojmë me pritje shumë të mëdha, sepse ju siguroj, as Amerika, as Gjermania, askush asnjëherë nuk mund ta bind Francën. Me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja, Franca është e vetmja fuqi nukleare në BE, Franca është anëtare  e vazhdueshme në Këshillin e Sigurisë, Franca ka 2 shekuj e gjysëm demokraci, për të cilën ne edhe sot mësojmë, atje nuk ka njerëz të rastësishëm”

Pendarovski e cilësoi si një mundësi të jashtëzakonshme faktin që do të realizohet takim mes presidentëve të të dyja shteteve, duke nënvizuar se në këtë mënyrë do të ekspozohen argumentet e të dyja palëve. Ai paralajmëroi se në Paris do të ripërsërisë qëndrimin se Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë rezervë ndaj metodologjisë së re të paralajmëruar dhe se vendi është i gatshëm për fillim të negociatave.

Stevo Pendarovski, president
Ne jemi kandidat  nga vitit 2005, 14 vite përgatitemi për fillim të negociatave, përsëris ekipet tona janë të gatshme, le të jetë sa më rigoroze, le të jetë si të dëshirojë metodologjia e re, ne jemi të gatshëm . Përveç kësaj nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshim të emrit, nuk është ai aduti ynë i vetëm. E respektojmë vendimin e presidentit francez, arsyen e tij, argumentet e tija, nga samiti i tetorit. Jemi të gatshëm të themi, në rregull, është ndryshuar metodologjia nuk ka problem, megjithatë ne duam të dijmë se kur për shembull do të ndodhte ajo dhe vërtetë të fillojmë me atë proces që është i gjatë me vite.”

Javën e ardhshme presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski do të vizitojë Parisin, ku edhe do të takojë presidentin Francez Emanuel Macron. Ky do të jetë takimi i parë pas Samitit të BE-së në tetor të këtij viti,  ku Franca nuk dha dritë jeshile për fillim të negociatave as për Maqedoninë e Veriut dhe as për Shqipërinë. Ajnur Bafqari /SHENJA/