(VIDEO) Partia e Pavle Trajanovit i kërkon qeverisë të mos rrisë “numrin e shqiptarëve”!

(VIDEO) Partia e Pavle Trajanovit i kërkon qeverisë të mos rrisë “numrin e shqiptarëve”!

Shkresa e Ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti ku kërkon nga ministritë që 31.5% e të punësuarve të jenë shqiptarë, ka zgjuar reagime nga partitë maqedonase. Lidhja Demokratike e udhëhequr nga Pavle Trajanov kërkon shfuqizimin e balancuesit etnik për punësimet në administratën shtetërore. Kjo parti e koalicionit qeveritar vlerëson se përqindja e shqiptarëve në regjistrimin e fundit prej 29,5% nuk është reale dhe diaspora nuk duhet të përfshihet në këtë matematikë. Sipas tyre, balancuesi etnik me këtë përqindje do ta rrënojë fotografinë e madhe të punësimeve në administratë, pasi nuk përshtatet me përqindjen e shqiptarëve rezident në vend e cila sipas regjistrimit të fundit është 24,3%.

LIDHJA DEMOKRATIKE
“Mërgimtarët shqiptarë, por edhe maqedonas dhe të përkatësive tjera etnike të cilët më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit, atje paguajnë tatime, atje punojnë dhe nuk mund të punojnë në dy shtete njëkohësisht, pavarësisht që i përkrahin financiarisht familjet e tyre në vendin tonë”.

Sipas Lidhjes Demokratike, balancuesi etnik jo vetëm që nuk duhet të marrë parasysh diasporën, por edhe duhet të hiqet tërësisht pasi bën diskriminim të kandidatëve cilësor dhe të kualifikuar.

LIDHJA DEMOKRATIKE
“Balancuesi etnik i diskriminon kandidatët e aftë dhe të kualifikuar për punë në administratën e shtetit në llogari të përkatësisë së tyre etnike. Opinioni di dhjetëra shembuj të manipulimit të balancuesit, përkatësisht deklarimit të maqedonasve si shqiptarë, turq, vllehë, serbë e kombinime të tjera, vetëm e vetëm për punës në administratën e shtetit. Sistemi i meritës dhe cilësia e kandidatëve, dhe jo përkatësia e tyre etnike ose partiake, duhet të jenë kriteri i vetëm për punësim në sektorin publik”.

Lidhja Demokratike gjithashtu i bën thirrje Qeverisë ku bën pjesë që të fillojë reforma serioze të administratës dhe zvogëlim për 30% të numrit të të punësuarve në administratë. Një pjesë e madhe e tyre, sipas kësaj partie, janë punësuar në linja partiake dhe etnike. /SHENJA/