` . (VIDEO) Osmani: Do të marrim rekomandim pozitiv nga BE-ja - TV-SHENJA

(VIDEO) Osmani: Do të marrim rekomandim pozitiv nga BE-ja

Zëvendës kryeministri Bujar Osmani vlerëson se Maqedonia do të marrë një prej raporteve më të mira deri më tani nga Komisioni Evropian dhe me këtë edhe rekomandimin e pastër për nisjen e negociatave për antarësim në BE. Osmani është tejet optimist që edhe vendet anëtare do të miratojnë rekomandimin dhe do tia hapin rrugën euroatlantike Maqedonisë. Gjatë një takimi me gazetarët, Osmani tha se deklaratat e Francës se BE-ja fillimisht duhet të thellohet para se të zgjerohet nuk i bëjnë asnjë pengesë Maqedonisë, pasi derisa BE-ja thellohet, Ballkani Perëndimor do të vazhdojë me zbatimin e reformave të nevojshme, dhe ky proces nuk është edhe aq i shpejtë.

Bujar Osmani, zv/kryeministër

“Presim që të marrim një prej raporteve më të mirë nga Komisioni Evropian deri më tani, dhe do të marrim një rekomandim të pastër, ndërsa vendet anëtare do të duhet ta miratojnë. Në kushte kur ideja evropiane po sulmohet nga të gjitha anët, Republika e Maqedonisë së Veriut bëri ripërtritje të principeve të saja themelore. Maqedonia e Veriut është një ishull në Ballkan i cili e bëri këtë ripërtritje dhe meriton më shumë se çdokush  që të fillojë këtë proces”

Raporti mbi përparimin e Maqedonisë, respektivisht për zbatimin e reformave urgjente, do të publikohet m ë 29 maj, ndërsa nesër do të përmbyllet procesi i monitorimit të shtetit për këtë raport. Osmani e quajti si hap të mirë faktin që raporti nuk do të publikohet në prill, pasi që kjo do të ndikonte në procesin zgjedhor.

Bujar Osmani, zv/kryeministër

“Hipotetikisht, po të publikohej raporti më 29 maj, vendimi i Këshillit të Ministrave është më 19 qershor, që do të thotë se bëhet fjalë për gjithsej 20 ditë. Të gjithë 28 shtetet duhet ta miratojnë dhe të marrin qëndrim nëse do ta mbështesin. Në vendet e tjera anëtare procedura është shumë më e shkurtër, përveç në Gjermani dhe Holandë, ku Parlamentet e tyre duhet ta sjellin vendimin, ndërsa deri atëherë përfaqësuesit e qeverive në Këshill nuk mund të formojnë qëndrim. Nëse një anëtare nuk ka qëndrim, meqenëse vendimi është konsenzual, të gjithë duhet të thonë “po” për nisjen e negociatave, pasi patjetër duhet të merret vendim”  

Osmani tha se nëse ndodh çfarëdo prolongimi pas qershorit, kjo do të shkaktonte frustracione të brendshme dhe do ti dekurajonte vendet e rajonit për të ndjekur rrugën e reformave. Osmani kujtoi se Maqedonia e ka situatën e pastër pasi që është shteti i vetëm në rajon i cili tashmë nuk ka asnjë çështje të hapur me pesë shtetet fqinje.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/