(VIDEO) Osmani: Stabiliteti i Qeverisë shpresë për arritjen e kompromisit me Sofjen

(VIDEO) Osmani: Stabiliteti i Qeverisë shpresë për arritjen e kompromisit me Sofjen

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani përsëri ngjall shpresë tek qytetarët për zhbllokimin e procesit integrues me BE-në. Ai në një intervistë për televizionin bullgar Nova TV, ka thënë se në janar mund të arrihet zgjidhje me Bullgarinë, pasi që të dyja vendet, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, thotë se tani kanë Qeveri legjitime.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme

“Fakti se në Bullgari tani ka pushtet politik na jep shpresë se të dy qeveritë legjitime mund të ulen dhe të bisedojnë për të gjitha çështjet dhe porositë e para japin optimizëm, sepse këtë e kemi thënë edhe vetë ne. Duhet të ketë qasje gjithpërfshirëse. Ka shumicë stabile në Republikën e Bullgarisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mund të ulemi prej nesër, t’i vazhdojmë bisedat dhe prej në janar të gjejmë zgjidhje”.

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare kanë reaguar ndaj deklaratës së ministrit Osmani. Siç qëndron në kumtesën e tyre dërguar mediave, ata akuzojnë pushtetin duke thënë se Zaev dhe Osmani secilin muaj thonë se do të marrim datë muajin e ardhshëm. Ato sipas VMRO-s po i shuajnë shpresat e qytetarëve.

VMRO-DPMNE

“Përveç që është tragjike, u bë edhe qesharake. Qeveria dhe Bujar Osmani secilin muaj thonë se shteti do të marrë datë për bisedime muajin që vjen. Kështu po ndodh tashmë 4 vite, qëkur Bujar Osmani dhe Zoran Zaev u fotografuan në aeroplanin qeveritar me lajmin se kemi marrë datë. Për shkak të politikave të gjunjëzimit, Bullgaria gjithmonë del me kërkesa të reja dhe Zaev nuk ka fund që nuk mund ta arrijë”.

Përndryshe deri para ca kohësh, pushteti shpresonte që përfundimisht më 14 dhjetor vendi do të marrë datë për nisjen e negociatave. Pastaj, edhe ky afat u shty. Vitin që po hyjmë, kryesimin e BE-së do ta ketë Franca, e cila pritet të ketë zgjedhje në pranverë.

Emine Ismaili /SHENJA/